Një zyrtar policor ndalohet për bixhoz të paligjshëm dhe mashtrim
Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, sot më 27 shkurt, rreth orës 13:50 minuta, ka ndaluar të pandehurin B.R., zyrtar policor në Stacionin Policor në Gjilan, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’ dhe ‘’Mashtrimi’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së prokurorit të rastit, me urdhër të Gjykatës kompetente në Gjilan, është realizuar bastisja në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Përpelnicë, komuna e Gjilanit, ku në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: Një (1) telefon Samsung, një (1) kartelë Vala, një (1) kartelë Ipko, një (1) tablet i markës Lenovo, një (1) kompjuter i markës HP, si dhe një USB.
I pandehuri B.R., pas intervistimit nga ana e hetuesve të Inspektoratit Policor të Kosovës, me urdhër të prokurorit të rastit është dërguar në ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orëve, thuhet në njoftimin e PTH në Gjilan.

