Njerëzit e kompletuar kanë mençurinë për ta kuptuar diferencën
Arbër Ismajli
Përgjatë këtyre muajve në Republikën tonë kemi qenë dëshmitarë të disa vdekjeve të papritura që na erdhën shumë shpejt, duke na ndryshuar jetën për shkak të mungesës së atyre personave dhe duke na ndryshuar mendim konceptesh mbi jetën, duke qenë vetëm bashkudhëtarë deri në një moment të caktuar.
Kur njeriu mendon me kokë të ftohur dhe arsyeshëm, pashmangshëm vije pyetja, pse gjithë këto dallime e gjithë këto paknaqësi e mosdurime ndaj njëri-tjetrit?
A kemi vërtet nevojë që të jemi me kaq ndasi? A kemi arsye të vërteta e të bazuara që të mos durojmë kaq shumë? Apo thjesht dirigjohemi nga interesa ditore dhe afatshkurtra?
Miq, ne duhet të reflektojmë e të fillojme me hedhjen e hapave para drejt forcimit te lidhjeve të ndërsjellta?
Njerëzit që ecin përpara në këtë botë janë ata që ngrihen dhe kërkojnë për rrethanat që ata duan, dhe kur nuk i gjejnë, i krijojnë ato, para së gjithash e krijojnë ngrohtësinë dhe dashurinë e shpirtit ndaj njëri-tjetrit.
Njerëzit e kompletuar kanë qetësinë për të pranuar gjërat që nuk mund të ndryshojnë, kanë fuqinë për të ndryshuar gjërat që munden dhe mençurinë për të kuptuar diferencën.
Prandaj, ne mundemi ta duam jetën, njëri-tjetrin, familjen dhe mbarë shoqërinë.
Duke e dashur vetën tonë, ne e duam familjen, shoqërinë dhe mbarë Republikën tonë.

