Njëri i akuzuar për vrasjen e rëndë në Lipjan lirohet nga akuza, tjetrit i ulet dënimi

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Besnik Bedrolli, duke e dënuar me dënim unik prej 11 vjet burgim lidhur me akuzën se në shkurt të vitit 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit, ka privuar nga jeta tani të ndjerin U.D. kurse të akuzuarin Bajram Bedrolli, gjykata e liroi nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Besnik Bedrolli shpallet fajtor dhe nga provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor dhe vërejtjet në dy vendimet paraprake të Gjykatës së Apelit, ka nxjerrë përfundimin se për veprën penale nga dispozitivi 1, dënohet me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh, kurse për veprën penale nga dispozitivi 2 të armëmbajtjes pa leje, dënohet me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 4 muaj.

Ndaj të akuzuarit Besnik Bedrolli, gjykata shpalli dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 11 vitesh.

Sa i përket të akuzuarit Bajram Bedrolli, nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe vërejtjet dhe konkludimet e Gjykatës së Apelit, gjykata nuk ka vërtetuar se i njëjti dhënë kontribut në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerit. Andaj, të njëjtin përkitazi me këto veprime e liron nga akuza.

Po ashtu, gjykata nuk ka arritur të vërtetojë me asnjë provë se i akuzuari ka kryer veprën penale të “Mbajtjes në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndryshe, për këtë rast është vendosur dy herë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim.