Njëri nga të plagosurit në Skenderaj në mjekim intensiv, i amputohet këmba
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë mesnatës së djeshme në Rubik të Skenderajt, ku si pasojë e një përleshjes ka mbetur i vrarë një person kurse tre të tjerë janë plagosur.
Lidhur me këtë shefi i Intensives i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shaqir Uka, ka bërë të ditur se njëri nga të plagosurit në incidentin në Runik të Skenderajt është në gjendje më të rëndë.
Uka ka thënë se nga plagët e marra me armë zjarri në pjesën e gjurit është dashur që t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik ku është dashur t’i amputohet pjesa e nëngjurit të këmbës së djathtë.
Tutje, ai shtoi se tre të plagosurit kanë pranuar tretman mjekësor në QKUK.
“Lëndimi me armë zjarri që ka ndodhur në Skenderaj, tre janë sjellur në QKUK. Njëri prej tyre ka qenë në gjendje më të rëndë me një lëndim me armë zjarri në regjionin e nëngjurit, në këmbën e djathtë. Ka qenë lëndim shumë i madh i kockave, i muskujve, i enëve të gjakut. Dhe kjo ka qenë arsyetim për intervenim kirugjik . Në bazë të ekzaminimit që është bërë dhe gjatë intervenimit kirugjik është parë që pjesa e nëngjurit të këmbës të djathtë, është dashur të amputohet si shkak i dëmtimeve të pariparueshme”, ka thënë Uka për Arbresh.info.
Ndërsa për dy të plagosurit e tjerë, Uka ka njoftuar se janë duke pranuar tretmane mjekësore por se lëndimet e tyre janë më pak serioze.
“Tash jemi në fazën kur tentojmë ta bëjmë stabilizimin e gjendjes së përgjithshme të tij sepse pacienti ka humbur shumë gjak. Për të tjerët, si duket lëndimet janë më pak serioze. Kanë vazhduar të pranojnë tretmane mjekësore”, ka vijuar ai.
Momentalisht Drejtori i Emergjencës, Naser Syla për Arbresh.info ka njoftuar se të plagosurit kanë përfunduar intervenimin në QKUK dhe tani gjenden në Klinikën e Ortopedisë për të vazhduar trajtimin mjekësorë.

