Njeriu që flijoi një karrierë artistike për lirinë e Kosovës
Sabit Rrustemi
(Pak fjalë për Jusuf Gërvallën si poet)
Jusuf Gërvalla, nga fillimi i viteve të shtatëdhjeta (shekulli XX) e deri sa kaloi në ilegalitet dhe iu përkushtua lëvizjes atdhetare për çlirimin e Kosovës, njihej si poet, si këngëtar i këngëve lirike – baladike, kryesisht me kitarë, po ashtu edhe si njëri ndër gazetarët më aktiv të “Rilindjes” nga redaksia e kulturës.
Viti 1978, kur ai solli librin e dytë me poezi, KANJUSHË E VERDHË, e faktorizoi në rrethet letrare të Prishtinës si njërin ndër poetët premtues të brezit të mesëm të shkrimtarëve ku renditeshin Ymer Shkreli, Teki Dervishi, Beqir Musliu, Mehmet Kraja, Jusuf Buxhovi, Rushit Ramabaja, Demë Topalli, Qerim Arifi…
Po ky vit, kur në Kosovë me shumë bujë po kremtohej 100 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Jusufin e veçoi edhe në fushën e gazetarisë, përmes shkrimeve të shumta në faqet e kulturës (po edhe në revistën FJALA) të paraqitjeve të ndryshme kulturore të ansambleve artistike, trupave teatrore apo dhe të ekspozita të arteve pamore që vinin nga Shqipërie dhe shfaqeshin në Prishtinë dhe në disa nga qendrat më të mëdha të Kosovës.
Shkrimet e Jusuf Gërvallës për këto veprimtari aq të mirëpritura, lexoheshin me një frymë dhe, në një mënyrë e identifikuan si një nga figurat më të reja intelektuale, dejve të të cilit vlonte synimi për avansimin e pozitës kushtetuese të Kosovës si dhe e vetë shqiptarëve që kishin mbetur jashtë kufijve të shtetit amë – Shqipërisë.
Vëllimi i dytëpoetik i Jusuf Gërvallës, “Kanjushë e verdhë” ishte nga librat më të mirë të poezisë që u botua gjatë vitit 1978-të. Kritika letrare e kohës, me të drejtë e cilësoi si një zë poetik më ndryshe prej të tjerëve, ndërsa vëllimi i tij më i ri me poezi, hyri në rrethin e ngushtë të vepravemë të mira të vitit.
Kjo ndikoi që të kthehet vëmendja e publikut më tepër nga krijimtaria e tij poetike dhe, Jusufi, pos si këngëtar, zuri të duartrokitet edhe si poet.
Me dy vëllimet e para, “Fluturojnë e bien” dhe, “Kanjushë e verdhë”, Jusuf Gërvalla në një mënyrë forëmësoi vijën e tij poetike e cila shquhej me një gjuhë figurative, mes traditës dhe trendeve bashkëkohëse, e afërt dhe e kapshme për lexuesin, e cila, në dukje “ikte” nga një frymë urbane e përqëndrehohej më tepër në natyrën dhe jetën rurale të Kosovës.
Natyrisht, bëhej paksa më tërheqëse dhe për faktin se nën vellon e një figuracioni artistik mbështilleshine shpërndaheshin porosi që reflektonin kërkesat e papërmbushura të popullit shumicë të Kosovës, të cilat rinia e asaj kohe s’kish se si të mos i vërente.
Në këtë trend të kohës dhe të vetë zërave në rritje për më shumë të drejta, shquheshin sidomos poezitë “U mësova të dua”, “Tash po nisemi” me vargun antologjik, “Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak”, pastaj cikli i poezive për shtëpinë, për skenat e jetës në fshat etj., që përvetësonin lexuesin edhe më shumë si dhe ia shprushnin atë dellin përmes mënyrës së artikullimit poetik, ku hetohej ajo e folura alegorike si dhe rrezatontë brenda vargjesh edhe e folura popullore me rrotulla, si në vargun “ka në shtëpinë time edhe pak zjarr të mbuluar nga hiri”.
Libri i tij i tretëpoetik që doli në Shkup (1979), fare pak pati kohë për të qarkulluar atë kohë në Prishtinë e më gjerë, ngase këtu ndikoi edhe arratisja e vetë Jusufit nga Kosova, arratisje që zgjoi një interesim më të madh kundrejt tij, sidomos te brezi i ri studentor i Universitetit të Prishtinës, në fund të viteve shtatëdhjeta dhe viteve të tetëdhjeta e këndej.
Me tre librat e tij poetik, botouar në rrethin kohor prej katër vitesh, përkatësisht mes viteve 1975 – 1979 “Fluturojnë e bien” (1975), “Kanjushë e verdhë” (1978) dhe “Shejat e shenjta” , (Shkup, 1979), Jusuf Gërvalla, lehtë dhe pa ndonjë vështirësi dallohej me individualitetin e tij krijues. Vargu i tij tërësisht ishte varg i lirë, edhe si ndërtim po, edhe si frymim. Ai frymim ishte i veshur me figuracion artistik, të cilit i jepnin reflektim të veçantë elementet e shfrytëzuara nga thesari popullor, skenat nga realiteti i Kosovës, sidomos nga jeta që e bënin njerëzit e saj, në ngjyrat bardh e zi si dhe porosotë mes rreshtash që, thënë shkurt, kishin brenda vetes mjaft atdhetarizëm.
Mirëpo, jetanë ilegalitet ndryshoi shumëçka në krijimtarinë dhe veprimtarinë e Jusuf Gërvallës.
Ai poeti i lirikave rurale, i shumë fragmenteve të një romani në ardhje (RROTULL) të cilat ishin botuar qoftë në “Rilindje”,apo dhe në revistat letrare si “Fjala” e “Jeta e re”, tashmë ishte përqëndruar në unifikimin e grupeve ilegale shqiptare të cilat vepronin në Perëndim. Krijimtaria letrare dhe ajo muzikore do t’mbesin në plan të dytë tashmë, sepse energjia e tij njerëzore e atdhetare ishte në focus të çështjes së pazgjidhur shqiptare.
Vrasja tinzare e tij, pas tri vitesh e sa në mërgim (Shtutgart të Gjermanisë) që ndodhi më 17 janar 1982, përveç se na la pa një nga atdhetarët tanë më të mirë, na la edhe pa një artist të fjalës e të këngës, i cili një karrierë të ndritshme që e pat paralajmëruar në pjesën e dytë të viteve shtatëdhjeta, e flijoi për lirinë e Kosovës.
Në dhjetëvjetorin e kësaj vrasjeje, letërsisë sonë dhe lexuesit i afrohej i botuar një libër poetik, me tërë poezitë e përmbledhura të Jusufit. Në ndërkohë u botua dhe romani RROTULL si dhe një dramë e tij, të cilat, më të kompletuara, bashkë dhe me shkrimet publicistike të Jusufit, do të vijnë pikërisht në shënimin e 30 vjetorit të flijimit të tij për lirinë e Kosovës, bashkë me të vëllain Bardhoshin si dhe Kadri Zekën.
Si rrumbullakësim
Poezia e Jusuf Gërvallës ishte zë origjinal i një individualiteti tëri krijues që po hynte në letrat shqipe i pandikuar nga emrat si Podrimja, Shkreli apo dhe Martin Camaj.
I përkiste një frymeje të re poetike së cilës i prinin Beqir Musliu e Teki Dervishi, frymë të cilën e pat filluar në fakt Rexhep Elmazi, por që fati, njëjtë si Jusufin pas katër vitesh, i ndëshkoi me plumb, shkaku i veprimtarisë atdhetare.
Trashëgimia letrare e Jusufit, kjo që e kemi tashmë në kompletin e veprave të tij, kërkon një trajtim më të thellë dhe të kohëpaskohshëm dhe mbi të gjitha, një trajtim professional, sepse vetëm kështu e nderojmë emrin dhe veprën e tij si duhet, po edhe si donte ai.
Përpjekja e parë për ta shprushur këtë trashëgimi letrare të Jusufit, ndodhi përmes poezisë së zgjedhur të Jusuf Gërvallës, nën titullin DHEMBJE TË NDRYDHURA, falë prof. dr. Anton Nikë Berishës, i cili bëri zgjedhjen e poezive si dhe shkroi parathëninen. Shtëpia botuese “Beqir Musliu” kreu vetëm editimin, kurse shpenzimet e shtypjes i hoqi Komuna e Gjilanit përmes Manifestimit kombëtar të kulturës, “Flaka e Janarit”.
Një dëshmi më shumë se Jusuf Gërvalla është me neve, midis nesh, vetëm se si një frymë shpirtërore, frymëzuese e nxitëse, tash e në të ardhmen.

