Njësia kundër terrorizmit zbarkon në Kaçanik – hetimet për vrasje të rëndë, pjesëmarrje dhe rekrutim në grupe terroriste

Një aksion i gjerë policor është zhvilluar në orët e para të mëngjesit në komunën e Kaçanikut, ku Njësia Kundër Terrorizmit, në bashkëpunim me strukturat hetimore, ka zbatuar një plan operativ të ndjeshëm, që përfshin dyshime për vepra të rënda penale me karakter të sigurisë kombëtare.

Burime të sigurta të Sinjalit konfirmojnë se gjatë këtij aksioni janë bastisur disa lokacione, janë sekuestruar prova dhe dëshmi materiale, ndërsa disa persona janë arrestuar dhe shoqëruar për intervistim.

Sipas burimeve të afërta me hetimin, dyshimet fillestare lidhen me vepra penale si “Vrasje e rëndë”, “Pjesëmarrje në grupe terroriste” dhe “Rekrutim për qëllime terroriste”. Këto dyshime pritet të verifikohen e filtrohen gjatë intervistimeve dhe analizës së provave të sekuestruara.

Operacioni i sotëm lidhet me një rast të mëhershëm që ka tronditur opinionin publik – vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Lika. Aksioni i parë kishte sjellë arrestimin e disa personave dhe sekuestrimin e disa provave kyçe, të cilat çuan në thellimin e hetimeve.

 

Sinjali mëson se në disa nga lokacionet e bastisura, paraprakisht kanë qenë në zbatim masa të fshehta të hetimit, të cilat kanë rezultuar me të dhëna të rëndësishme për hetimin penal, duke ndihmuar në identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve potencialë.

 

Autoritetet ende nuk kanë dalë me informacion zyrtar, por burimet tona thonë se aksioni është pjesë e një zinxhiri të gjerë hetimesh, që mund të përfshijnë edhe lidhje ndërkombëtare të aktiviteteve të dyshuara kriminale.

Sinjali po e ndjek këtë operacion nga afër dhe do të sjellë detaje të reja ekskluzive sapo të konfirmohen nga burime zyrtare apo të vijë reagim institucional.