Noizy nuk paraqitet për intervistim, Prokuroria kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e reperit
Policia e Kosovës është vënë në kërkim të reperit Rigels Rajku, i njohur si Noizy.
Noizy është kërkuar me urdhër të Prokurorisë pasi i njëjti nuk është paraqitur për intervistim para organeve kompetente ashtu siç ka paralajmëruar avokati i tij.
Lajmin e ka konfirmuar Shkodran Nikçi, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës.
“I njëjti nuk është paraqitur për intervistim përkundër premtimeve nga avokati i tij – për këtë çështje i bëjmë thirrje këngëtarit dhe të gjithë personave të përfshirë në këtë vepër penale të paraqiten tek organet hetuese”, tha ai për Sinjalin.
“Kërkojmë edhe ndihmën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, kushdo që ka informata për vendndodhjen e tyre të bashkëpunojë ngushtë me Policinë dhe Prokurorin e Shtetit”.
Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se zyrtarë policorë e kanë kërkuar Noizyn para rreth një ore në banesën e Bahtjar Bajraktarit, DJ-it të reperit, i cili jeton në Prishtinë.

