Nostalgji për gjuhët e huaja apo…?
Bahtijar Kryeziu
Njohja dhe përdorimi i një gjuhe apo i disa gjuhëve të huaja nga akëcili njeri, nuk sjellë kurrfarë dëmi. Megjithatë, është pasuri dhe vlerë për njeriun. Në popull thuhet “kush di më shumë gjuhë, vlen më shumë”. Fan Noli, Faik Konica, Eqrem Çabej…, kanë folur dhe shkruar në disa gjuhë. Pse jo? Këtë e bënë nga entuziazmi, aftësia por edhe për nevojat e tyre për komunikim më të lirshëm në vendet ku jetonin e vepronin. Por kjo nuk do të thotë se duhet nënvlerësuar gjuhën amtare, këtë gjuhë në të cilën kënduan aq bukur Naimi, Fishta, Mjeda, Lasgushi, Agolli…, e përdorën në veprat e tyre (letrare e shkencore) me shumë elegancë Xhuvani, Çabej, Ajeti, Kadare, Qosja etj.
Përse atëherë duhet që televizionet tona të kenë emërtime të huaja; fëmijët tanë të emërtohen, thuaja më tepër me emra të huaj se me emra shqip; mbishkrimet e firmave në qytetet tona, (gati gjysma e tyre) paraqiten në gjuhë të huaja. Numri më i madh i mbishkrimeve del (si pjesa e parë e togfjalëshit, ashtu edhe e dyta) me fjalë në gjuhë angleze, gjuhë italiane, gjuhë gjermane, gjuhë frënge e deri tek ajo kineze.
Pa u ndalur në klasifikimin e tyre se cila fjalë nga cila gjuhë ka prejardhje, nga mbi 100 mbishkrime të shënuara, bie fjala, vetëm në qytetin e Gjilanit, del kjo pasqyrë: Sys Shoes, Fival, Evoluticon, Folonet, Eral-Mobile, Caffe Pizzeria Rio G, Compact Group, Town Coyote, Amoro, Avanti, The legend, Internet–Sky-@Net, Caffe Liberty, Papillon, Wella, Viva-E, Valcom¬production, Ceramic, Bambus, Design 4, Eurovision, Energy Two, Termo Eng, Gas Company, Ego, Cafe – Bar, Elta engineering, Victoria M, Sky, Fan Net, Orbis, Rolex, Fast Net, Piccolo, Ita Ban, Puerdo, Strong 1, Piuma Di Casa, Your-Net, Medaur, Morellato, Destino, Fast Food Zam, Blue @Net, Info Tech, Global trade, Aldor-Comm., Wood Bar, Vision, Xhe-Si, Vision, Duex, Info-Sat, Joop, Torno, Grotex, Modatex, Premix, Vatani, Red Bulls, Bingo Star, Weekend Tours, Leder Shop, Toni Gold, Royal, Boss, General Electric, Baby Shop, Cyti, CD Shop Fenix, Tech Wabog Switcerland, Copolo, Viva Rodex, Wom, New Fashion, Cafe Bar Tequila, Viva Punt, White Tiger, Palomito-Holding, Queens Style, Ataq Consulting, CD Shop cool Luciano, First Step, Prefid, Finantz, Blue Jeans, Musti Music Shop, Rotex, Rialto, Siciliano, Delikates, Exclusiv, Punto, Coctail Bar, Grosist, Baumelo GMBH, Cafe Bar Dibi’s Bar, Toni Shpic Verd, Albico, Disneyland, Viva la, The professi¬onal, Brilliant, Elkampero, West, Onyx, L’Oreal etj.
Ka këtu edhe mbishkrime të tilla, të cilave, besojmë se as vetë pronarët e firmave të tyre nuk ua dinë domethënien. Janë emërtuar ashtu pse dikush e ka parë një emër të tillë në ndonjë reklamë gazete a televizion, e ka parë në ndonjë lokal të ndonjë qyteti europian apo diku tjetër.
Përse, pra, siç përmendëm më sipër, emërtimet e disa shtëpive “të fuqishme” mediatike janë po në gjuhë të huaj, thuajse jemi në Amerikë, në shtetet e Europës apo në ndonjë shtet aziatik, si: Top Channel, News 24, Ora News, BBF, Club FM, ABC News…
Përse në vatrat e dijes injorohet fjala shqipe, me kuptim të plotë, e kuptueshme edhe nga fëmija i djepit dhe përdoren fjalët e huaja? Ç’na duhen fjalët: abstrakt (nga angl.) – në vend të parathënie ose përmbledhje (parathënie libri, doktorate, diplome etj.); aplikim-i (neolatine) – për: zbatim, përdorim (…i metodave); modul (lat. Modulua) – për: gjedhe, model, mostër, po edhe shembull; evaluim (nga frëngj. évaluation) – për: vlerësim; definicion (nga italishtja) – për: përkufizim (përkufizim i fjalisë, jep një përkufizim etj.); bord-i (nga anglishtja) – për: këshill, këshill drejtues, komision; sillabus a sylabus (greq. Sýllabos) – për: përmbajtje e lëndës, përshkrim – përkatëprogram; ); studime pri servis (nga anglishtja – pri-service) – për: studime të rregullta; CV-i – Sivi (angl. na lat.) – për: jetëshkrim ose biografi a autobiografi etj.
Nuk e kemi fjalën këtu për farë harrje të skajshme a purizëm të tepruar, por kemi bindjen se fjalët e tilla vetëm sa e lodhin shqipen, e bëjnë atë një gjuhë të dalë rodit të shqipes së Naimit, të shqipes së Konicës, të shqipes së Kadaresë dhe të shqipes së popullit, siç thekson një gjuhëtar yni në një shkrim të tij.
Ndërkaq, pavarësisht rrugët e futjes dhe mëny¬rën e krijimit të tyre në gjuhën tonë, disa fjalëterma e shprehje fjalësh janë krijime të futura nga jashtë, të cilat i imponoi koha dhe për të cilat në gjuhën tonë nuk ka përgjegjëse të mirëfillta. Erdhën si “mikesha” të nderuara – siç do të thoshte akademik Jani Thomai, të cilat janë mjete që i vijnë në ndihmë gjuhës sonë, e pasurojnë atë, e bëjnë më funksionale dhe më të përdorshme. Të tilla janë për shembull fjalët nga gjuha angleze: bachelor (fjalë që shënon një shkallë arsimimi e kualifikimi universitar (tre e më shumë vjet), fjala master, të cilat në universitetet tona kanë hyrë fill pas studimeve sipas sistemit të Kartës së Bolonjës) etj.
Jemi të vetëdijshëm se risitë tekniko-shkencore dhe ato në jetën shoqërore në përgjithësi, padyshim se kanë nxitur dhe nxisin nevojën e krijimit të fjalëve e të shprehjeve të reja në gjuhë, qoftë me futjen e pastaj përhapjen e tyre, qoftë me kalkimin, apo qoftë edhe me krijimin e vetë¬dijshëm të termave që shfrytëzojnë pasurinë e mjeteve leksikore – karakteristikë për një gjuhë, ama me masë e terezi, siç thoshte Gjergj Fishta, sepse huazimet kanë anën e mirë – pasurojnë gjuhën, por kanë edhe anën e keqe, ngase jo gjithçka e huaj i duhet shqipes.
Para se të përfundojmë, po shtrojmë dhe këto pyetje:
Ç’na duhet reklama, si pengesë edhe fizike, në qendër të kryeqytetit dhe jo vetëm aty, në gjuhë të huaj, sikur nuk jemi në Kosovë, por në ndonjë shtet të huaj?
Përse u dashka që shqiptari – shqiptarit t’i urojë festën, martesën, ditëlindjen…, në gjuhë të huaj, në vend që urimin ta shprehë në gjuhën tonë të bukur. Ç’vlerë më të madhe paskan urimet e nxënësve për mësuesen a mësuesin, profesoreshën a profesorin e tyre në gjuhë angleze sesa në gjuhën shqipe (edhe në rrjetet sociale, në gazeta, tv etj.), kur një mësuese klase për ditëlindjen e saj, në rrjetin social, facebook, më 28.2.2016, paraqet urimet e nxënësve të një klase të ciklit të ulët, në gjuhën angleze, sikur shqipja nuk po mjaftuaka për urime të mira:
Kur edhe profesoresha e universitetit, pasi i falënderon njerëzit që i kishin uruar ditëlindjen, në gjuhën shqipe: “Faleminderit të gjithëve për urimet më të mira në ditëlindjen time!”, falënderimin e “piperos” edhe në anglisht “Thank you all for your best rishes on my birthday!”, pra, për ta “qëndisur” këtë urim edhe me një tablo me balona dhe në mes me shkrimin anglisht (FB, 21.4.2020):
Për heshtjen tonë ndaj kësaj të keqeje, të lënies së gjuhës shqipe pa zot e në mëshirën e Zotit, duke folur e shkruar “në gjuhë të huaj kur nuk është nevoja” dhe duke lënë mbas dore shqipen, gjuhën tonë amtare , do të na zë ai mallkimi i poetit më të madh të epikës shqiptare, Gjergj Fishta, i cili jo pa të drejtë thotë:
“…Pra, mallkue njaj bir shqiptari,
që këtë gjuhë të Perëndisë,
trashëgim si na e la i pari,
trashëgim s’ia len fëmijës;
dhe atij ju thaftë po goja
që e përbuz këtë gjuhë hyjnore,
e në gjuhë të huej kur s’është nevoja,
flet, e t’vetën len mbas dore.”
Po e përmbyllim këtë shqetësim tonin me një këshillë të bilbilit të Shkodrës, Filip Shiroka, i cili me “zanin e zemrës” së tij porosit: “…kurrë nuk kena të drejtë me ken të thirrun komb i gjytetënuem, sado që të mësojmë gjuhë të hueja, sepse kombi nuk gjytetënohet me msimin e gjuhëve të hueja, por me msimin e gjuhës vet”.

