N’Turki ish si xhennet për së gjalli
Hasan Bunjaku
(Demirovitët: fillimi i rrëfimit, ngjarja para rrëfimeve të botuara më herët, e shkruar në fund të vitit 2021)
Babxhyshi Demir, pasi doli nga shtëpia e së motrës, goxha i deprimuar dhe i ligështuar, u drejtua kah Atik-Xhamia, ku, edhe pse ishte hala heret, ishin tubua nja 7-8 njerëz, ku po merrnin abdes në ujët e Shadërvanit të kësaj faltoreje, ndër më të vjetrat e qytetit.
– Selam alejkum, burra! – i përshëndeti Babgjyshi.
– Alejkum-selam, e mirë se erdhe, o vlla ibadetli! – ia kthyen njëzërit.
– Nashta ashtë hala heret – e shikoi orën e xhepit Babgjyshi – po, ma mirë na ta presim kit ditë të Madhe, se Xhumaja nuk na pret neve! – foli Babgjyshi…
– Po mirë e kie e t’lumtë goja, o i ardhën! – iu drejtua njëri si më i vjetri nga ta.
– Po, Allahile, kah t’patëm, se, anipse po m’doket se të kam pa dikun, po nuk po muj me tamam me e ditë se ku…? – e pyeti.
– O, jam i Malsisë Gollakit, atje gati te “Gardhi i Shkavit”… – ia kthei ky.
– Bash i cillit ven, Allahile?
– Desivojc, jam unë, o dashamir! Dajë i Rukocve e i K…
– Qy-qy, Desivojc, thue, a? I kini pasë gjithëherë do imam e hoxhallarë shumë t’knueshëm, qi n’kit Nahi, me ta s’u kanë shaka…! – foli me admirim ky vendësi.
– Po, shyqyr Zotit, nime i kemi pasë t’njoftun, e shumica ere janë kanë Loza e Haxhi Jusuf Jakupit, qi u kanë ni Njeri i Madh ktu Ngillan…Myfti, m’doket!
– Rukoctë e K., the se i kie nipa, a? Të dy palët janë venali t’hershëm, ani se të ardhun diku t’bhekun, pej Serbijes.
– Po, po si shumë e shumë shiptarë pej Nishi, Piroti, Krusheci, Medvegja, Bllaca, Vraja e pej ma shumë se tetëqin katuneve, qysh kallxojshin t’parët tanë. – e sqaroi edhe ma tej çështjen, Babgjyshi!
– Kurrë rahat s’u bamë pej ktyne kryqalive! – foli me mllef një burrë i plotë, po i shkurtë goxha.
– Jemi para Xhumasë e mos ta “shpërlajmë gojën” me ta, ma thot menja mue, e ju dini! – iu dok Babgjyshit, se po jepte nasihat.
– Jo ti mirë e kije, xhanëm ti dashamiri Desivojcs, po vallha na e kanë pru shpirtin n’fyt, e…
– Hajt se ju vjen pej Zotit dikah, se as Zoti nuk e duron zullumin…! – foli ni i tretë, që deri më tashti nuk kishte folë fare.
– Edhe ti mirë e kie, po edhe Zotit duhet me ia “nimue pak na…”! – foli një i katërti, që deri atëherë po merrej me abdes. Edhe babgjyshi me një “çep” të ujit të freskët të shadërvanit, mori avdes, e hynën në xhami, e cila u mush sakaq plot me xhematë. Imami tashmë e kishte zënë vendin e tij, dhe kur u qetësue pak hyrja e zhurma, nisi të jep ders (vajz) lidhur me ca ajete Kur’anore e për disa sjellje të hijeshme e ato të pahijeshme të xhematit të Imetit-Muhamet. Kur u duk se e përfundoi, u dëgjua një zë nga mesi i xhematit:
– O Hoxhë, a s’na fol pak për qit farë punën e Turkijes, qi po shkojnë shumë famili!? A din gja me na thanë, sa janë sahi kejt qato t’mira qi po na i kallxoni për atje? Veç, amanin ta kemi, fol drejt se çfarëdo shtremimi i asaj se qysh asht, ti e di ma mirë, që asht gjynah e haram!?
Imami, që si duket nuk e priste një pyetje kaq të “rëndë” e po kaq “konfidenciale”, e besa edhe kaq të “ndieshme”, njëherë nja dy minuta u mendua, e pastaj, i mbuluar në djersë, e hapi gojën:
– O xhemat, kto janë punë shumë të fella të hyqmeve të Kralit e të Sulltanit turk, e s’e di sa e kam izën me folë për kto sene, po qysh na kanë thanë krejt imamëve, qashtu na duhet me ju thanë juve. Elem ju xhematë, qysh na kanë thanë, n’Turki ish xhenet për së gjalli, bre vllazën! Shehërlive e zanatlive, po ju jepshin dyqane e magaze me mallna, e shpija n’mjedis t’Stamollit me të tana shka i lyp ni shpi. E katunarve, si t’shkojnë, me naj katun aty ngat Stamollit, po ja u jepshin ka 20 ekter tokë t’rrafshtë-tepsi; ka dy penë kije; ka 50 frymë dhenë e ka 5 lopë: ka dy kual-atllarë; ka dy shpija me ahre e pleme, kosha të kallamoqit e hamarë t’grunit, torishta e pojata, e me kejt almiset qi i vyjnë ni njeri me e punue tokën… Mue mos um zini kabahatli, se kejt kto, jemi me lazëm me jau kallxue, se vetë nuk i kemi pa e nuk e dimë bash mirë se sa janë kejt kto sahi. Po, ama hyqmi nuk thot rrena, se nuk e qesin fjalën “posht” as krali, e mo as Sulltani, e ky bile qi i konisë Zotit e fesë Muhamedane, nuk guxon pej Zotit me i lakue fjalët se ere ai do t’dixhet tevona n’zjermin e Xhehnemit… Unë kaq di për kit punë, e kaq ju thash, e ju dini xhematë s’i t’jau merrë menja! N’ven të turqnisë do të shkonit, e…! – e përmbylli imami dersin e vet lidhur me këtë temë, ndërkaq që Babëgjysh Demiri, që për ta nderue që ishte “musafir” i kishin ba vend hej përpara, i kishte bërë veshët “bigë”, e po e “përbinte” çdo fjalë të hoxhës.
Në ndërkohë, myezini e thirri ezanin, e xhemati, prirë nga imami, e falën ditën e Shenjtë të Javës, Xhumanë, e kur e kryen këtë Namaz, u shpërndanë secili nga e kishte destinacionin e vet, ndërkaq që Babgjyshi, rrugës në të kthyer tek nipat, Rukoctë, u nal pak te Ustah Hasani. Ustait, i erdhi mirë që e kishte majtë Babgjysh Demiri premtimin, dhe e futi në Odë, ndërkaq që nga kuzhina, së shpejti, me një të trokitur në derë, u dha shenja, e Usta Hasani u ngrit dhe doli e u kthye menjëherë me dy kafe, dhe ia shtruan muhabetit:
– Qysh e kishe dhanrin e motrën, o Demir? – e pyeti ai.
– Valla, bre dost, shka me rrejt: boll zilam ishin veç ishalla Zoti jau “çel nej nafakë dikah…!”
– Po, Zoti ka ba shkallë-shkallë, o Demir-jarani. Dikush përpjetë e dikush teposhtë, e tevona apet ai qi asht poshtë hip nalt e kshtu…! – u mundua disi ta amortizojë këtë brengë të Babgjyshit Ustai.
– Po, po…! – as Babgjyshi nuk deshti me e tjerrë fort fort këtë punën e së motrës.
– A drejt pej atjehit po vjen, a? – e pyeti Usta Hasani.
– Jo. More, pej Xhamisë Epërme, ku e fala Xhumanë…
– E pe kon e a t’pa najkush i njofshëm, a? – e pyeti Babgjyshin.
– Jo, more, po me do shehërli koxha bamë muhabet para Xhumasë qyty te ai Shadërvani, tuj marrë avdes… Iu kishin ftofë pejtë shumicës pej ktuhit, e kejt synin e kishin diqysh me ik sa ma shpejt n’Turkije, qysh e kishe edhe ti menën, se, thanë, s’durohet gjithmonë “kama e shkavit” ktu…
– Hëh…!? – po e përcillte me interesim Usta Hasani.
– Bile, qysh ke tuj majt vajz imami, u çue njani e e veti dogri për kit punën e Turkijes, qi po flitet kohve t’funit, e ai, pasha Haktalanë, ma mushi menjen se asht shumë mirë atje ku e kemi rrajën e fesë Muhamedane, ere i njehi me renë nja ka nja senet që po t’i jepshinm si t’mbrish atje, si shehërlive e si katunarëve, e qysh tha ai, veç me kanë “xhenet për s’gjalli…”! Kshtu, tha na kanë msue hyqmi e kshtu po ju tham ere unë se unë mutllaka nuk e di as vetë…!
– Qyre, pashë Zotin, e ky hoxha i Xhamisë Vogël, ktu për karshi, a s’po di a s’po guxon, veç gati kurgja nuk na flet për kit punë…?!
– Valla, se di, veç tybe me ditën e sodit m’u ka mush menja ere mue me e marrë atë udhë e le të del ku të del…!
– Hajërli koftë, o dost, se beli nuk rrihet ktu në zullumin e ner thunrën e xhanarit të shkavit… – foli Ustai, në ndërkohë që i kishin pi kafet, e Babgjyshi i lypi izën, dhe në lutjen që të nalet për drekë te ai, ky iu përgjegj se për sillë janë tue e pritë nipat te Rukoctë, se kshtu i kishin pasë fjaltë, prandaj, pasi u morrën ngrykë, te dera e oborrit, Babgjyshi, pas disa metrash ktheu në të djathtë e drejtë e te konaki i nipave të tij.

