“Nuk e kam ditur që ka vdekur”: Qindra mercenarë të Wagnerit po varrosen në heshtje

“Nuk e kam ditur që ai ka vdekur”, ka thënë Nadezhda Skaleyush, pasi e ka kuptuar që varri i babait të saj, është gjetur në një zonë të ndarë për mercenarët rusë, të vrarë në Ukrainë.

“Mirëpo të dhënat mbi varr i përkasin atij”.

Skaleyush nuk ka pasur ide që babanë e saj, 40-vjeçarin, Aleksandr Skaleyush, e kanë rekrutuar nga burgu, mercenarët e grupit Wagner – të lidhur me Kremlinin.

E pyetur nëse ai do parapëlqente rekrutimin, ajo ka thënë: “Me shumë gjasë po”.

Platforma e Radios Evropa e Lirë, Idel Realities, ka gjetur se varri i Skaleyushit është në mesin e 200 varreve tjera në një varrezë në Nikolayevka, fshat me 522 banorë, sipas regjistrimit të popullsisë më 2010.

Rreth 25 kilometra në juglindje të Lumit Volga, në qytetin Samara, fshati gjendet në zonë të autostradës, por nuk ka qasje në transport publik.

Me makinë nga Samara, duhen vetëm gjysmë ore për të arritur aty.

Në mesin e muajit prill, shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, e ka bërë një udhëtim në Nikolajevka, për të prezantuar një pllakë përkujtimore, për mercenarët që varrosen aty.

“Këtu varrosen luftëtarët e kompanisë private të sigurisë, Wagner, të cilët kanë vdekur për vendin e vet, në periudhën 2022-23”, shkruan në obelisk.

Ndonëse asnjë gazetar nuk ka qenë i ftuar në ceremoni, Wagner e ka publikuar një video, në të cilën Prigozhin, ka thënë se “pasardhësit tanë do ta kujtojnë kontributin e ushtarëve me shekuj”.

Moska nuk i ka bërë të ditura të dhënat për humbjet që ka pësuar në Ukrainë, prej nisjes së luftës, në shkurt të vitit të kaluar, raporton rel.

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 10.000 mercenarë të Wagnerit janë vrarë vetëm në pesë muajt e fundit, dhe se shumica e kanë humbur jetën rreth zonës së luftimeve në Bahmut.