Nuk është kreacion artistik, është paralajmërim rreziku në rrugë
Kjo figurë në rrugën “Raif Halimi” në Gjilan, lagjen Iliria, nuk është ndonjë kreacion artistik, siç mund të duket në shikim të parë dhe as ndonjë shenjëzim horizontal trafiku.
Ky ‘simbol’ është bërë nga komuniteti i lagjes për t`ua tërhequr vëmendjen kalimtarëve për një rrezik që i pret aty.
Këtu, para 4-5 ditësh, një kalimtare zuri në thua në kubëzat e dala nga vendi, shkaku i punës së dobët, ose mosmirëmbajtjes së projekteve dhe u rrëzua përtokë.
Gruaja, që me gjasë po shkonte në punën e saj, pak minuta para orës tetë të mëngjesit, sipas dëshmitarëve ishte rrëzuar dhe nuk ka mundur të ngrihet as me ndihmën e kalimtarëve tjerë, por është dashur të vinte ekipi i emergjencës dhe ta merrte me lese.
Komuniteti i lagjes, në pamundësi për të bërë diçka tjetër, ka shenjëzuar vendin “problematik” për të tërhequr vëmendjen e kalimtarëve që të jenë më të kujdesshëm kur kalojnë në atë pjesë, sepse ndryshe nuk binte në sy derisa dikush nuk zinte në thua.
Është detyrë e autoriteteve komunale që t`i sanojnë këto rreziqe, në kuadër të projektit të mirëmbajtjes verore të rrugëve, për çka ndahen mjete të konsiderueshme.
Çalon inspektimi i gjendjes në terren.
Kjo mund t`i kushtojë Komunës, nëse qytetarja e lënduar në këtë rast ngre padi në gjykatë./Mediafokus.info

