Nuk është thjeshtë kungull, por një bombë vitaminash

Anila Kalleshi, dietologe klinike

Kungulli është një perime me super veti ushqyese, i pasur me vitamina dhe minerale dhe me shumë mundësi gatimi, që nga ëmbëlsira, sallata, byrek me kungull etj.

Kungulli është një nga burimet më të mira dhe më të njohura me beta-karoten, një super antioksidant, që njihet si kontribuesi kryesor i ngjyrës portokalli dhe që konvertohet në vitamine A në trup.

Konsumi i ushqimeve të pasura me beta-karoten mund të zvogëlojë rrezikun e radikaleve të lira, mbron nga azma dhe sëmundjet e zemrës dhe ngadalëson plakjen dhe degjenerimin e trupit.

Një nga tipet e kancerit, ku studimet kanë treguar për ndikimin e madh që ka një dietë e pasur me beta-karoten është kanceri në prostat.

Beta-karoten lidhet gjithashtu me uljen e zhvillimit të kancerit të zorrës së trashë.

Të ushqehesh me kungull i bën mirë zemrës. Fibra, potasi dhe vitamina C, që ndodhen tek kungulli e mbështesin fort shëndetin e zemrës.

Antioksidantët vitamina C, vitamina E dhe beta-karoteni, të cilat gjenden të gjitha tek kungulli, kanë treguar se ndihmojnë në shëndetin e syrit dhe ndalojnë dëmtimet e mëtejshme të pamjes.

Ushqimet si kungulli ndihmojnë për të shpejtuar metabolizmin dhe farat e tij janë të pasura me triptofan, amino acidi që ndihmon në gjendjen e gjumit.

Triptofani është gjithashtu përgjegjës për të ndihmuar trupin të prodhojë serotinë, që na ndihmon të ndjehemi më mirë dhe më të relaksuar.

Farat e kungullit jo vetëm na bëjnë të bëjmë një gjumë të mirë, por edhe na sjellin në humor.