“Nuk ka dorëzim”- Provokon Vuçiq, publikon foto me shefat e ushtrisë serbe
Ne veri të republikës mbrëmë pati tensione, për shkak të pranisë më të shtuar të policisë këndejpari. Një pjesëtar i forcave kosovare të rendit është raportuar të jetë plagosur pas një sulmi me armë të gjata të një patrulle, në fshatin Sërbovc të Zveçanit.
“Gjatë natës dhe në mëngjes me ministrin e Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq dhe udhëheqësin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviq…nuk ka dorëzim”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Ai dhe tjerët shihen të jenë tubuar rreth një tavoline, në një zyrë të vogël.
Shprehja “nuk ka dorëzim”, ose “nema predaje”, në serbisht, është përdorur nga politikanët dhe banorët e veriut kohëve të fundit, si përgjigje ndaj planeve të qeverisë së Republikës së Kosovës për largimin nga qarkullimi të veturave me targa ilegale KM dhe akronime të qyteteve tjera të Kosovës.

