Nuk kemi kohë për të humbur, Kosova rrezikon të vonohet në rrugëtimin e saj historik
Myzejene Selmani
Prishtina shënon sot 21-vjetorin e çlirimit. Për të arritur te kjo ditë e madhe për shqiptarët e Kosovës, janë dashur një shekull sakrifica të gjeneratave të shumta.
Liria është rezultat i luftës sonë të përhershme, të frymëzuar në idealet e atyre që patën guximin të jenë pishtarë të sakrificës e vetëflijimit.
Por, të gjithë ne, të rinj e të vjetër duhet pasur parasysh se liria është parakusht dhe mundësi për ndërtimin e shtetit, një shtet të së drejtës dhe të barabartë për të gjithë, pa dallim etnie a feje, race a ngjyre.
Një shtet ku secili e ka mundësinë për edukim, trajtim shëndetësor, shkollim e punësim, që do të thotë të ketë shansin të ndërtojë jetën dhe lumturinë personale e familjare.
Përkundër përparimeve që janë bërë në këto dy dekada liri, Kosova jonë dhe Prishtina si kryeqendër e saj, ende kanë shumë gjera pa i bërë.
Sot kur kremtojmë ditën e çlirimit, kur nderojmë të kaluar tonë që na bëri të ndjehemi krenarë, njëkohësisht duhet të mbledhim mendjen e të shohim drejt përpara.
Kosova është vonë, nuk ka kohë për të humbur.
Njëkohësisht, në këtë ditë të madhe e të rëndësishme të historisë sonë, nuk duhet harruar miqtë tanë perëndimorë, të cilët na dhanë krahë përmes NATO-ës për të arritur lirinë.
Duhet të jemi mirënjohës dhe të pranojmë se pa NATO-n, forcat serbe nuk do të ishin tërhequr ndoshta as sot nga Kosova, pavarësisht sakrificës sonë.
Unë personalisht kam kujtime nga takimi me presidentin Bill Clinton, i cili së bashku me kancelarin Gerhard Shroder erdhi të na vizitojë në Gjermani, më 5 qershor 1999 dhe aty na premtoi se ne do të kthehemi në shtëpitë tona së shpejti.
Sot, pas 21 vitesh, mund të them se ky njeri bëri shumë sakrifica për popullin tonë. Ai meriton mirënjohje tonë si popull e si komb përjetësisht.
Në mendjen dhe zemrat tona, figura e presidentit Clinton është sinonim i engjëllit mbrojtës dhe në historinë tonë meriton një dimension të veçantë.
Vetëm në këtë mënyrë mund ta nderojmë sakrificën e miqve tanë, atyre që bënë shumë për ne.
Këta përvjetorë duhet të na bëjnë që të reflektojmë në punën tonë të përditshme, ashtu që të mos e devijojmë rrugën të cilën e kanë trasuar dëshmorët dhe e kemi kurorëzuar si popull bashkë me aleatët tanë.

