Nuk mbijeton vogëlushi i familjes kosovare që u aksidentua tragjikisht derisa po kthehej në Gjermani

Një aksident i rëndë ka ndodhur të mërkurën, më 7 janar 2026, në zonën e Waldshut-Tingen, pranë kufirit me Zvicrën, ku është përfshirë një familje shqiptare, e cila po kthehej nga pushimet në Kosovë.

Aksidenti ndodhi vetëm pak para se të mbërrinin në vendin ku jetojnë.

Si pasojë e këtij aksidenti tragjik ka humbur jetën vogëlushi Teo Mendim Morina.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar një familjar, i cili përmes një njoftimi në Facebook, ka bërë të ditur se në aksident është përfshirë familja e nipit të tij, Mandim Vllaznim Morina.

“Duke ju njoftuar se në aksidentin në Gjermani, me datë 7 janar 2026, derisa po ktheheshin nga Kosova ku ishin me pushimet e fundvitit, është përfshirë në aksident familja e nipit tim (djalit të vëllaut tim) Mandim Vllaznim Morina. Me dhembje të thellë ju njoftojmë se në këtë aksident kemi humbur nipin e vogël, Teo Mendim Morina. Për organizimin e ceremonive mortore, të pames dhe varrimit, do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në postim.