Nuk mund të aplikosh në konkursin për mësimdhënës në Gjilan nëse s’i ke 20 euro

Rreth 20 euro i duhen një aplikuesi për të marrë pjesë në konkursin e arsimit për një vend pune në Gjilan, thuhet në një reagim të Partisë së Drejtësisë.

Kriza ekonomike gjithandej nuk i bëri fare përshtypje komunës së Gjilaanit, respektivisht DKA-së, kur bëri publike konkursin për shkollat dhe si kriter futi çertifikatën shëndetësore, e cila kushton 16 euro, duke përfshirë edhe pagesën e bankës.

Duke i shtuar edhe koston e kopjeve del se çdo i papunë që mendon të aplikojë, duhet së pari t’i sigurojë 20 euro, nëse  pretendon për një vend pune në pozitën e lirë.

Këto vështirësi për një aplikues në pozita të ndryshme, e së fundmi edhe për konkursin në Arsim, janë të papranueshme dhe diskriminuese, sepse jo të gjithë kanë mundësinë të marrin pjesë në një konkurs ku ka kosto të lartë, sidomos tani kur kriza ekonomike ka prekur shumicën e qytetarëve në Komunën e Gjilanit, thuhet tutje në reagimin e PD.

Njëherësh, ky subjekt kërkon nga Komuna e Gjilanit dhe Drejtoria e Arsimit që ky konkurs të anulohet dhe pastaj të rishpallet pa këtë kriter.