“Nuk punojmë në fundjavë”, 85-vjeçari nuk vaksinohet pavarësisht terminit të konfirmuar për këtë ditë

Një 85-vjeçar nga Drenasi, përkundër që Ministria e Shëndetësisë ia konfirmoi terminin për t’u vaksinuar, nuk ka arritur të imunizohet sot, ka bërë të ditur djali i tij.

Ai ka thënë se dje ka pranuar mesazh nga MSH-ja që babai i tij të shkojë sot të vaksinohet në QKMF-në e Drenasit. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi 85-vjeçari është kthyer mbrapsht nga stafi i kësaj qendre, me arsyetimin se nuk punojnë gjatë fundjavës, shkruan Gazeta Sinjali.

Për të marrë përgjigje pse qytetarët nuk po vaksinohen në terminet e caktuar, Sinjali ka kontaktuar drejtorin e kësaj qendre, Ismet Bogiqi, i cili fillimisht ka thënë se në kuadër të planit të veprimit të MSH-së, kjo QKMF nuk punon gjatë fundjavës. Prandaj, ai tha se qytetari duhet ta ketë ngatërruar datën e terminit.

“Nëse e kemi ftu dje, i kemi thënë me ardhë të hënën, e ka ngatërru datën. Të shtunën e të dielën nuk punojmë, kështu është vendimi i Ministrisë. Vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca mund të shtyhen, por më herët nuk mund të jepen. Nuk janë ekipet të shtunën e të dielën, sigurisht e ka kuptu gabim. Ministria në plan të veprimit nuk e ka të shtunën e të dielën”, ka thënë Bogiqi.

Mirëpo, diçka e tillë nuk përkon me ftesën që ka pranuar 85-vjeçari. Sipas ftesës që djali i 85-vjeçarit e ka dërguar shihet se data e terminit për t’u vaksinuar babai i tij, ka qenë e paraparë për sot, më datë 19.06.2021, në orën 08:20.

Deklarata e drejtorit të QKMF-së në Drenas nuk përputhet as me listën e termineve të postuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas kësaj liste, vetëm për datën 19.06.2021 janë paraparë që në qendrën “QVC Salla Sportive SHMP “Fehmi & Xhevë Lladrovci” në Drenas të vaksinohen 20 persona.

“Njoftim rreth vaksinimit kundër COVID-19

Ftohen personat nga listat e bashkëngjitura që të paraqiten për vaksinim në terminët e caktuara në komunat e tyre, me datë 19 dhe 20 qershor 2021. Personat të cilët nuk janë të përfshirë në këtë listë, janë kontaktuar në forma të tjera për tu vaksinuar nesër.”

Por, drejtori i QKMF-së në Drenas ndryshoi deklaratën e tij kur u telefonua për herën e dytë. Ai përveç që e konfirmoi se qytetarët nuk po vaksinohen gjatë fundjavës në këtë qendër, hodhi edhe akuza në drejtim të MSH-së.

Sipas tij, nuk kanë arritur që të dakordohen me MSH-në për pagesat e punëtorëve jashtë orarit, gjatë fundjavave.

“Në takim kur kemi qenë me Ministrinë, me Naim Bardiqin, kanë thënë prej të hënës deri të premten. E kemi shtjellu çështjen që dita e shtunë dhe diel është fundjavë dhe si me ia bë me punëtorët që punojnë ditën e shtunë dhe të diel, për shkak se ajo është punë jashtë orarit, për pagesa e për këto, ai na ka thënë prej të hënës deri të premten. Vaksinimi masiv, aty i ka shku letra, mirëpo ne nuk kemi pasë konfirmim.

Qytetarëve mund t’u ketë shku ftesa, por ne punojmë prej të hënës deri të premten. Gjatë ditëve të javës e plotësojnë punëtorët orarin, vikendi është vikend, nëse punojnë në vikend atëherë një orë pune i llogaritet një orë e gjysmë”, ka thënë Bogiqi për Sinjalin.

Sipas tij, QKMF në Drenas është udhëzuar nga MSH-ja që brenda 5 ditëve, pra nga e hëna deri të premten, ata duhet të vaksinojnë 270 deri në 300 doza.

Lidhur me akuzat e Bogiqit, Sinjali ka provuar që të kontaktoj me sekretarin e MSH-së, Naim Bardiqi dhe zëdhënësin e MSH-së, Faik Hoti, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij lajmi asnjëri nga ata nuk i është përgjigjur as thirrjeve e as mesazheve.

Ky nuk është rasti i parë për të cilin është raportuar për parregullësitë në procesin e vaksinimit, ndonëse nga MSH-ja është ripërsëritur që ky proces po shkon në rregull.