Numri i nxënësve në Kosovë ka rënë për 30 për qind në 13 vite

Sipas të dhënave të publikuara të premten nga Instituti GAP, 134.366 nxënës më pak ndjekin mësimin në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës në vitin 2021/22 krahasuar me vitin shkollor 2008/2009.

Sipas GAP-it, kjo përkthehet në një rënien prej 30.3 për qind. Numri i nxënësve, sipas Institutit, ka shënuar rënie vazhdimisht.

Rënie më të madhe të numrit të nxënësve ka në komunat e Kamenicës dhe Junikut (-53%), Rahovecit, Dragashit dhe Vitisë (-45%), dhe Gjilanit dhe Suharekës (-41%).

Sa i përket personelit arsimor, që përfshin mësimdhënësit, personelin administrativ dhe personelin ndihmës, numri i tyre ka mbetur thuajse i njëjtë që nga viti shkollor 2013/2014, kur MASHT-i publikoi të dhëna të detajuara për këtë kategori.