O, merrjani sharrën Albanit se krejt drunjtë e qytetit do m`i ba trungje e cunga
Pasi e ktheu parkun e qytetit në trungje e cunga, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, u ka hyrë sot drunjve edhe në lagjen Iliria.
Gjilani po kthehet në një pamje të cilën njerëzit nuk ishin mësuar ta shihnin dhe jo më ta besonin.
Është e kuptueshme që drunjtë duhet të krasitën ndonjëherë, por jo të priten përgjysmë dhe më keq se kaq.
Prerja lejohet vetëm në rastet kur druri është tharë dhe paraqet rrezik, kurse krasitja bëhet në degë dhe jo duke prerë trungun në pjesën lart.
Sharra e sëpata po “masakrojnë” tmerrshëm drunjtë e qytetit.
Shumë kujtime të njerëzve u shuan dhe ata drunjtë të rritur prej dekadash nuk janë më siç ishin dje, të lartë dhe me kurorë.
Parku ku e kalonin ditën pleqtë e qytetit, ku takoheshin e luanin shah, ku ndërronin ndonjë llaf e evokonin kujtime, u zhvesh si mos më keq.
A pyeti kënd more ky kryetar që i hyri kështu sëpatë një parku të tërë dhe tani po vazhdon nëpër lagje?
Drurët në park dhe as ata përreth banesave kolektive në lagjen Iliria nuk pengojnë askënd, përkundrazi krijojnë hije, mbrojnë nga pluhuri dhe lëshojnë aroma të këndshme, meqë disa prej tyre janë dru bliri.
A janë të vetëdijshëm këta udhëheqës se çfarë po i bëjnë ambientit, qytetit ku jetojnë njerëzit e tij.
Duket e trishtë, por njerëzit duhet të mësohen pa drunjtë me të cilët janë rritur bashkë nëpër sfida e stuhi.
Qytetarët s`e dinë se kush e dha këtë urdhër, por përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi kryetarin e Komunës.
Asgjë nuk bëhet pa dijen dhe lejen e tij.
Filizat e njomë nuk zëvendësojnë dot ata drunj shekullor, shtatlartë e degëgjerë.
Gjilani nuk ka nevojë për beton, por për gjelbërim.
Për çudi si deri tani nuk reagoi asnjë shoqatë për mbrojtjen e ambientit.
Dikush duhet të bërtasë me të madhe: O merrjani sharrën Albanit se e degradoi ambientin si mos më keq.
Drunjtë dekorativë të qytetit, të lartë e të bukur, drunjtë e kujtimeve, po i kthen në trungje e cunga. /Mediafokus



