OBSH: Doza e tretë e vaksinës nuk është e justifikuar për të gjithë

Injektimi i dozave përforcuese të vaksinave kundër Covid-19 për të gjithë popullatën, aktualisht nuk është i justifikuar, sepse dy dozat e para mbeten shumë efektive kundër formave të rënda, madje edhe kundër variantit Delta, besojnë ekspertët nga OBSH-së dhe FDA-s (Agjencia amerikane e Barnave).

Vende si Franca, kanë filluar ta administrojnë vaksinën e tretë për kategori të caktuara të popullsisë: të moshuarit (gjashtë muaj pas vaksinimit të tyre) dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar.

Për ta justifikuar këtë, këto vende citojnë një rënie të efikasitetit të vaksinave kundër infeksionit të variantit Delta, një rënie e cila duket se është e theksuar me kalimin e kohës.

Të tjerët kanë shkuar më tej, ose po mendojnë ta bëjnë këtë.

Në Izrael, doza e tretë është në dispozicion nga mosha 12 vjeçe, pesë muaj pas vaksinimit.

Shtetet e Bashkuara do të fillojnë një fushatë të vaksinimit përforcues më 20 shtator, pa dyshim duke filluar me persona të moshuar.

Por OBSH ka kundërshtuar vazhdimisht parimin e një doze të shtuar për të gjithë popullatën, të cilën ajo e sheh si një masë shkencërisht të pabazë dhe të pabarabartë për vendet e varfra.

Ekspertët në The Lancet besojnë se edhe pse nivelet e antitrupave ulen me kalimin e kohës tek njerëzit që vaksinohen, kjo nuk do të thotë se vaksinat do të jenë më pak efektive kundër formave të rënda, raportojnë mediat zvicerane sot.

Përkujtojmë se OBSH, u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të pasura që të mos fillojnë me dozën e tretë përforcuese pa u vaksinuar edhe vendet e varfëra, mbase trajtimi i të gjithë popujve duhet të jetë i barabartë dhe vetëm kështu mund t’ia ndalim hovin vdekjeve nga Covid-19./MLH