Oda e Mjekëve nis hetimet ndaj mjekut dhe drejtorit pas vdekjes së pacientit

Oda e Mjekëve të Kosovës ka nisur hetimet për kirurgun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Kushtrim Shala dhe drejtorin e Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, për të parë mundësitë e shkeljeve profesionale dhe shkeljeve etike pasi që pacienti i operuar kishte ndërruar jetë disa orë pas intervenimit.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

“Kanë nisur hetimet në dy niveleve pas vdekjes së pacientit mundësia e shkeljeve profesionale po edhe shkeljeve etike si prej anës së mjekut ashtu edhe të drejtorisë” – tha ai.

Sejdiu ka sqaruar edhe procedurat se si do të hetohet rasti.

“Janë çështje të prokurorit të Odës i cili i merr deklaratat e tyre. Presim edhe raportin prej inspektoratit shëndetësor i cili i mbledhë gjitha dokumentacionet dhe ia dorëzon Odës kjo është procedura. Pastaj edhe nëse është fut edhe prokuroria e shtetit që siç kemi marr vesh që po me siguri do të lypet edhe ekspertizë” – u shpreh ai.

Sejdiu tha se nuk kanë informacione nëse është bërë autopsia e personit.

Kirurgu Kushtrim Shala të mërkurën, e ka paraqitur si sukses operacionin “David” te një pacient me diseksion akut të aortës dhe rupturë në nivel të rrënjës së saj.

Siç ka thënë vetë ai në postimin e tij në Facebook, ky është nga operacionet e rralla që kryhet kryesisht në qendra te mëdha me volum dhe eksperiencë afatgjatë dhe të specializuara për kirurgjinë e aortës.

Por, në fakt, operacioni nuk ka pasur sukses, pasi pacienti ka vdekur pas disa orësh.

Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, ka thënë se Shala ka kryer një operacion për të cilin është dashur përvoja të cilën nuk e ka pasur.

E mjeku Kushtrim Shala ka reaguar lidhur me deklaratën e Brahimajt dhe ka shpjeguar rrjedhën e ngjarjes.

Ai ka thënë se komentimi i tij lidhur me rastin pa diskutuar fare në konziliumet profesionale është joetik, joprofesional dhe kriminal, sepse, sipas tij, ka të bëjë me tendencën për të eliminuar kolegun.