Oficer kosovar Ymërdein Hasani nderohet në SHBA me Medalje për Arritje Ushtarake
Ymërdin Hasani, oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Podujeva, ka diplomuar me sukses në Kursin e Çështjeve Civile në Fort Bragg, Karolina Veriore, në Qendrën dhe Shkollën e Luftës Speciale “John F. Kennedy” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.
Gjatë trajnimit, Kapiten Hasani është shpërblyer me Medaljen për Arritje Ushtarake, e cila u ndahet pjesëtarëve me performancë të lartë dhe rezultate të veçanta gjatë procesit mësimor.
Ky trajnim i specializuar është fokusuar në përgatitjen e oficerëve për bashkëpunim me komunitetet lokale, vlerësimin e nevojave civile dhe koordinimin e projekteve që mbështesin stabilitetin dhe zhvillimin në zona operacionale.
Përmes këtij kursi, ai ka fituar njohuri të avancuara në menaxhimin e situatave civile, bashkërendim me institucionet vendore dhe organizatat partnere, si dhe në ndërtimin e bashkëpunimit ndërmjet forcave ushtarake dhe popullatës civile.
Kapiten Hasani pritet t’i vërë në shërbim të Kosovës njohuritë e fituara, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve të Çështjeve Civile në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

