Ogragja dhe Pogragja

Izeir Hyda

(Pogragjasit, Pogragjën e krahasojnë me Prizrenin)

Ndër pyje ograja
N’ma t’bukrin vend
Me rreze dielli
Po e g’zon gjith kend

A çile kafazi
Bylbyl, flutro
Ndër pyje, ograja
Bylbyl shpejto
Ndre Mjeda

Kur poeti ynë i madh ‘e çliroi’ bilbin nga kafazi, e dërgoi, ku tjetër, pos në vendet më të bukura të natyrës shqiptare ‘ndër pyje e ograja’, aty ku fluturonte i lirë e ndihej më së miri.

Ograja (Ogragja) <kuptimi> Fjalë
‘Livadh pranë pyllit a në mes të korijeve, ku kullot bagëtia, pyll i vogël me lëndina për kollot.’

Pikërisht, Ogragja e Pogragjës ishte një vend i tillë, një vend me bukuri natyrore, një livadh, pranë lumit e rrënzë pyllit.

Më konkretisht, në hyrje të fshatit Pogragjë, në anën e djathtë të lumit Morava, përkatësisht, të shtratit të vjetër të lumit, prej Gurinës (Rruga e Llovcës) deri te Përroi i Jonuzit, shtrihet Ogragja, që ishte një vend i bukur, një livadh, ku kullotnin bagëtia.

Pogragjasit, Ogragjën e shndërruan në toka të reja të bukës. Ky vend u bë ara të një kualiteti të lartë, për shkak të lymit që linte Morava gjatë vërshimeve dhe Përroit të Imerit që e mbushte Ogragjën me dushqe të kalbura, në formë plehërash.

Pastaj, për shkak të zgjerimit të fshatit, në një kohë jo shumë të largët, Ogragja u popullua, dhe në këtë fushë pjellore u ndërtuan shtëpi banimi, nga familjet e Qamil Rashitit, Ramizit t’Metës, e Ibishve, Hajrizovitëve, familjet e Vesel e Ali Rexhepit, familja e Avdi Limonit, Daut e Muharrem Shabanit, edhe së fundi Sali Hasanit, Azem Rexhepit, Rexhep Ferizit dhe Rexhep Aliut.

Edhe pse ky vend, e ndërroi destinimin dhe nga një livadh i bukur rrënzë pyllit u shndërrua në tokë buke dhe më vonë në shtëpi banimi, megjithatë, e ruajti emrin e vjetër Ogragjë – Ogragja.

Topinim Ogragja na del me prejardhje sllave (Ograđa – rrethojë – gardh), për shkakun se gjuhët kanë huazuar (edhe fjala sërb. Ogragja edhe fjala shqipe gardh kanë të njëjtin burim – infoeuropianishtën).

Gjuhët kanë pas ndikimet e tyre mbi njëra tjetrën dhe kjo nuk do të thotë se prania e emërtimeve sllave e zhvlerëson gjuhën tonë të bukur.

Gjuha është gjithmonë në proces, jep e merr fjalë nga gjuhët tjera.

Gramatika është ajo që i jep vulën gjuhës, siç i dha edhe këtij emërtimi Ograjë – Ogragjë – Ogragja.

Pogragja

Pogragja është 13 km në Juglindje të Gjilanit. Është një fshat me bukuri të rralla natyrore.

Pogragja shtrihet në anën e djathtë të lumit Morava, rrënzë maleve të Karadakut që e bëjnë edhe më të bukur këtë fshat.

Pogragja është e njohur edhe për kalanë e saj që është dëshmia më e mirë për lashtësinë e këtij fshati dhe rëndësinë historike që ka pas në të kaluarën.

Kalaja është sinonim i Pogragjës dhe sa herë të përmendet Pogragja na kujtohet Kalaja dhe anasjelltas.

Pothuajse të gjithë studiuesit që kanë shkruar për Pogragjën është e pa mundur të mos e përmendin Kalanë e Pogragjës, mbi të cilën i bazojnë shumicën e shpjegimeve, madje edhe emrin e këtij fshati.

Emrin e fshatit Pogragjë, studiuesit e lidhin, kryesisht, me Kalanë e Pogragjës si qender administrative e ushtarake që ka luajtur rolin e një mburoje apo të një qytetit (grad) dhe fshatin si vendbanim poshtë kalasë (pod). Pod + grad = Podgrad.

Mirëpo, sdudiuesit e shumtë emrin grad e nxjerrin parasllave nga fjala ‘ghordo’. Sipas Çabejt “emri grad, gradinë, vjen nga ‘ghordo’ nga e cila vijnë edhe fjalët shqipe gardh dhe ajo sllave grad si fjalë me bazë indoeuropiane.”

“Shqipja i ka ruajtur te dy format: atë gardh, si strukturë brendagjuhësore dhe ate grad të mesjetës e cila shtrihet edhe te shumë toponime si Pogradec, Gradinë, Grashticë…”

Në bazë të këtyre shpjegimeve mund të konstatojmë se, kështu është ruajtur edhe emri i Pogragjës (Podradie).

Ky emërvend ka shtrirje mjaftë të gjërë.

Janë edhe disa fshatra me emrin Pogragja (Podgrađe), në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Podgrađe – Vukovar, fshat Qarku i Sremit – Kroaci;

Podgrađe – Krapina, Zagreb, fshat në Kroaci;

Podgrađe – Qarku i Splitit, fshat afër Omishit – Kroaci;

Podgrađe – Qarku i Zarës, fshat afër Benkovcit – Kroaci;

Podgrađe – Gornji Vakuf, fshat në Bosnje e Hercegovinë

Podgađe – Nevesinje, poashtu fshat në Bosnje e Hecegovinë.

Pogragjë – Pogrgragja, Klinë – Kosovë dhe
Pogragja e Gjilanit (Pogragja jonë).

Sipas studiesit Rexhep Doçi, “emri i Pogragjës sonë shfaqet në shkrimet e herëshme të mesjetës (1410 – 1430), kur përmendet një banor i Pogragjës – Pavao Gonçeviq de Podgradie” që sipas Berat Ademit – arkeolog, shpjegohet kështu:

“Mbiemri Gonçeviq është i qartë, është shqiptar. Rrënja është Gon = Gjon, ndërsa prapashtesa sllave ‘viq’ e shoqëruar me tingullin (ç) mumd të shoqërohej edhe me një (o), sa për të marrë dukje sllave, që është edhe një dëshmi për vazhdimësi të pogragjasëve në këtë vendbanim dhe për forma të këtilla të asimilimit të onomastikës dhe toponomisë, forma që tashmë i njohëm dhe i provuam vet.”

Dëshmi tjera për vendbanimin e pogragjasëve në këto troje është edhe një guri me shkrime e gravura, në pusin e oborrit të shtëpisë së Haki Ramadanit nga Pogragja.

Mandej, toponimi Tuma, në jug të fshatit Pogragjë, ngritur mbi Kodrën e Tumës dhe toponimet Podi e Selishta ku janë gjetur artefakte që dëshmojnë për vjetërsinë e Pogragjës.

Po ashtu edhe zbulimit i stelës mbivarrore e gjetur në Pod e që i takon çerekut të parë të shekullit tretë, na bënë të vlerësojmë se Pogragja është vendbanim shumë i herëshëm.

Mirëpo, të gjitha këto të dhëna shkencore nga burime historike e arkeologjike, nuk e përjashtojnë mundësinë për hulumtime të tjera, nga studiuesit e më vonshëm të onomastikës dhe shkencave të tjera, që vërtetojnë se Pogragja, mund ta ketë marrë emrin edhe nga ndonjë vend tjetër si, p. sh., nga Podi, si vendbanim i vjetër i Pogragjasëve,
(Pod + ogragja = P /od/+ ogragja = Pogragja).

Mendojmë se Pogragja ka ekzistuar edhe para ndërtimit të kalasë, sepse nuk ka logjikë të ndërtohet një kala ku nuk ka banorë.

Tek e fundit kujt i ka shërbyer ajo si qendër administrative dhe ushtarake.

Mbase Pogragja ka pas ndonjë emër tjetër.

Megjithatë, gjer sa të mos vërtetohet ndryshe na besojmë, në këto të dhëna shkencore për emrin e Pogragjës.

‘Pogragja’ – Pogragja jonë

Pogragjasit, Pogragjën, shpeshe e krahasojnë me Prizrenin, për shkak të ngjashmërive që ka më këtë qytet të lashtë e të bukur; me lashtësinë, kalanë, lumin dhe bukuritë natyrore …dhe këngën popullore:

“Oj Pogragjë – Pogragja jonë”, e kemi bërë këngë të festave e gazmendeve familjare.