Opozita kundërshton shtyrjen e zgjedhjeve

Partitë opozitare në Kosovë nuk po e mbështesin kërkesën për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, të cilat janë caktuar që të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë pjesëmarrjen në takimin e së hënës, të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, por të njëjtit janë shprehur kundër idesë së shtyrjes së zgjedhjeve.

Mbajtjen e takimit e kanë konfirmuar edhe nga kabineti i presidentes, duke mos dhënë komente shtesë lidhur me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve. Kundër kësaj ideje është edhe njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Albert Krasniqi.

Takimi i presidentes Osmani me përfaqësues të partive politike, vjen pas letrës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), që ka rekomanduar mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Sipas letrës së IKSHPK-së, mbajtja e zgjedhjeve do të ndikonte në rritjen e rasteve me koronavirus e për pasojë do të rriste edhe rrezikun e rritjes së rasteve të vdekjeve.

“Meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojmë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet ndër të tjera në letrën e IKSHPK-së.

Opozita e bashkuar kundër shtyrjes së zgjedhjeve

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa për shtyrje të zgjedhjeve është e papranueshme.

“Ne do të marrim pjesë në takim dhe do të japim vërejtjet tona. Është kërkesë e paarsyeshme dhe panevojshme, ne jemi kundër si LDK. S’ka legjitimitet asnjë institucion lokal pastaj dhe mungesa e legjitimitetit do të shkaktonte problem të mëdha”, thotë Gashi.

Ai thotë se Qeveria duhet të merret me menaxhimin sa më efikas të pandemisë COVID-19 e jo të tentojë shtyrjen e zgjedhjeve.

“Nëse bëhet fjalë për çështje të sigurisë nga COVID-19 atëherë duhet të merren masa parandaluese, distanca, tubimet e vogla, mund të eliminohet fushata krejt, ka plot zgjidhje. Asnjë vend në botë nuk i ka anuluar dhe mendoj se as ne nuk mund ta bëjmë”, thotë Gashi.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se shtyrja e zgjedhjeve nuk është zgjidhje adekuate.

“Nëse shtyhen zgjedhjet ka pasoja shumë të mëdha lidhur me pushtetin lokal. Praktikisht do të jetë një pushtet vakant, komunat do të jenë me një menaxhment në skadencë. Mundësia për të pasur edhe keqpërdorime dhe për të mos pasur menaxhim të mirë, efikas, është shumë e madhe”, thotë Dreshaj.

Sipas tij, Kosova ka mbajtur zgjedhjet e përgjithshme në pandemi dhe se do të duhej të mbaheshin sërish.

“Nuk mendoj se është një atribut i mjaftueshëm që situata aktuale me COVID-19, të jetë arsye për shtyrjen e zgjedhjeve, për shkak se aty do të bëhet një pyetje praktike dhe logjike: pas sa kohe do të organizohen zgjedhjet? Ne nuk jemi të sigurt se kur do të përfundojë pandemia nëse nuk kryhet vaksinimi masiv i popullatës”, thotë Dreshaj.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, por zyrtarë të kësaj partie nuk janë përgjigjur.

Derisa në zyrën për informim të Lëvizjes Vetëvendosje, parti që udhëheq me Qeverinë e Kosovës, thonë se institucionet shëndetësore janë ato të cilat e japin vlerësimin e duhur për këtë çështje.