“Orkestrimi i përplasjes fizike”, deputeti Zyba flet pasi Abazit iu zu ulësja në Kuvend

Haki Abazi hodhi pretendime të rënda ndaj Salih Zybës duke u shprehur se ai kishte ardhur si përforcim për t’i marrë ulësen dhe kartelën në Kuvend. Zyba e ka cilësuar një pretendim të tillë si thashethem.

Abazi ka pretenduar që në mënyrë të orkestruar i është marrë ulësja në Kuvend nga ana e deputetit Besim Muzaqi. Prapa këtij orkestrimi ai ka thënë se ndodhet Mimoza Kusari dhe Albin Kurti. E si përforcues fizik e ka quajtur Salih Zybën.

Pamjet e Kuvendit dëshmojnë që z. Zyba shihet i ulur në karrigen ku rëndom ulet Ardian Gola. Ai madje, shihet edhe derisa ulet sërish në ulësen e Golës në momentin kur Abazi kërkon të ulet në vend të Muzaqit.

I pyetur nga Nacionalja në lidhje me këtë çështje, ai tha këto fjalë:

“S’ka koment. Sene që nuk komentohen, as nuk kanë vlerë e as interes për publikun. Thashethem. Hajt të lutem, m’fal!”

Abazi pretendoi që ishte orkestruar nga ana e VV-së “një skandal e përplasje fizike” mes tij dhe Salih Zybës.

“Asnjë kuptim nuk kishte prezenca e përforcuar e Zybës. Ky mentalitet politik i Kurtit është dëshpërues dhe veprim fëmijësh.” – u shpreh ai.