Ortopedit që u arrestua për ryshfet, iu sekuestruan të holla, celular dhe pajisje mjekësore
Sami Delija, ortoped në QKUK u arrestua dje nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Nga i dyshuari, sipas policisë, janë sekuestruar një shumë e të hollave, një telefon celular si dhe disa pajisje mjekësore.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit. Nga i dyshuari në cilësi të provave janë sekuestruar një shume e te hollave, një telefon celular si dhe disa pajisje mjekësore”, thuhet në raport.
Po ashtu, bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka urdhëruar të hënën që të ndalohet mjeku S.D, i cili gjatë punës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dyshohet për veprën penale “marrje e ryshfetit”.
Prokuroria në njoftimin e bërë për media thotë se është duke vazhduar hetimet lidhur me rastin.
Pas arrestimit të mjekut, ka reaguar edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
“Drejtoria e ShSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore”, thuhet në reagim.

