Osmani e Konjufca asnjë fjalë për zhvillimet e mbrëmshme në Bruksel

Mbrëmja e 27 shkurtit solli zhvillime dramatike politike nga Brukseli ku është mbajtur takimi i radhës i nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë, më konkretisht nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq u pajtuan për planin evropian si platformë për ecje përpara në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Këtë e ka konfirmuar në një konferencë për media edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell i cili në konferencë për media bëri të ditur se palët janë pajtuar se nuk duhen diskutime të mëtutjeshme mbi idenë e këtij plani dhe madje i njëjti u publikua edhe nga Bashkimi Evropian.

“Vuçic dhe Kurti sot kanë arritur të pajtohen që jo më shumë diskutime të tjera janë të nevojshme për propozimin evropian”, shtoi ndër të tjera Borrell, duke paralajmëruar takime të reja në mars ndërmjet Kurtit e Vuçiqit.

Deklarime para mediave pati edhe nga dy liderët, të cilët si zakonisht, ndanë mendime e deklarata krejt kontradiktore për takimin.

Në njërën anë, presidenti serb Vuçiq ishte ai që tha se Kosova nuk e pranoi Asociacionin dhe se Kurti kishte ofruar të nënshkruante “diçka” duke iu referuar këtu planit evropian, ndërsa Kurti tha se Vuçiq nuk pranoi të nënshkruante një gjë të tillë.

“Kurti erdhi me idenë për të nënshkruar diçka, ne nuk e morëm në konsideratë këtë”, tha ai, transmeton Paparaci.

“U pajtuam që duhet të vazhdojmë të flasim. Sido që ta shikoni, Asociacioni është i pari. Kam frikë se kjo është pengesa më e madhe”, ka thënë Vuçiq.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti përpara gazetarëve tha se nuk Vuçiq nuk ishte i gatshëm për nënshkrimin e planit evropian, ani pse ky i ofroi një gjë të tillë.

“Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për nënshkrim. Unë kam shprehur gatishmërinë për ta nënshkruar”, ka deklaruar ai.

Ajo që bie në sy në këto zhvillime është heshtja e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca të cilët ende nuk janë deklaruar për këto zhvillime në dialog.

Mbetet të shihet nëse dy nga tre liderët kryesorë të Kosovës do të japin pikëpamjen e tyre mbi këto zhvillime sot gjatë ditës. /Paparaci.com/