Osmani: Ka prova të pakundërshtueshme që e lidhin Serbinë me aktin terrorist kundër Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në llogarinë e saj në platformën “X” ka publikuar një pjesë të shkëputur nga intervista e dhënë për televizionin britanik “4 Channel”, ku ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, shkruan Reporteri.net.

E para e shtetit ka thënë se ka prova të pakundërshtueshme që e lidhin Serbinë me këtë akt terrorist kundër Kosovës.

Tutje ajo ka shkruar në “X” se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi dh të marrë një mesazh të qartë se agresioni ka pasoja.

“Ka prova të pakundërshtueshme që e lidhin Serbinë me aktin terrorist kundër Kosovës – nga trajnimi i terroristëve me ushtrinë serbe e deri te përdorimi i armëve të shkallës ushtarake të prodhimit serb. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi dhe të marrë një mesazh të qartë se agresioni ka pasoja”, ka shkruar Osmani.

Ndërsa sot janë bërë një javë nga ky sulm terrorist i Serbisë ndaj Kosovës ku dhe mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa u bë e ditur se tre terroristë serbë janë vrarë, kurse dy terroristë dhe katër të tjerë të përfshirë në sulm fillimisht u arrestuan.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se SHBA-të duhet të përcaktojnë nëse Serbia ishte përgjegjëse për sulmin e së dielës në veri të Kosovës. Ai ka thënë se ky sulm ka qenë i koordinuar dhe sofistikuar.

Ai tha se SHBA-të nuk kishin arsye të dyshonin se armët dhe pajisjet e tjera të paraqitura nga policia e Kosovës në një konferencë për shtyp të hënën nuk ishin ato që u gjetën në vendin e ngjarjes.

Ndërsa edhe nga Bashkimi Evropian u tha se pozicioni i tyre është i qartë, të dielën u krye sulm terrorist në Kosovë.

Stano në një konferencë për media përsëriti se duhen hetime të plota, para se blloku evropian të ndërmarrë masa, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Pozicioni i BE-së është shumë i qartë, se ajo që ndodhi ishte një sulm terrorist dhe se duhet të hetohet se kush është përgjegjës, i përfshirë ose ka planifikuar dhe se ata duhet të sillen para drejtësisë dhe BE-ja do të marrë marrë një vendim për të kur çdo gjë të sqarohet”.

Përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist e mori nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq.

Radojçiq në këtë letër pretendon se për “kthimin” në Kosovë nuk kanë qenë në dijeni as autoritetet në Qeverinë e Serbisë, dhe as strukturat lokale në veri të Kosovës, e as nuk ka marrë “ndonjë ndihmë” prej tyre, derisa shtoi se e bëri këtë për të nxitur popullin serb të ngrihet në kundërshtim të siç thotë ai “terrorit të Kurtit.