Osmani: Kam marrë kërcënime për dhunim të vajzave, jemi të detyruar t’i izolojmë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një adresim para mediave ka folur për kërcënimet me jetë që ajo ka marrë dhe për mbrojtjen e afër që ruan vajzat e saja, duke thënë se këto janë protokolle të sigurisë për shkak të rrezikshmërisë së lartë.
Osmani ka thënë se çdo gjashtë muaj policia e bënë vlerësimin e rrezikshmërisë, dhe çdo gjashtë muaj konkluzioni është i njëjtë se vajzat janë në rrezikshmëri të lartë.
Presidentja u shpreh se ka marrë kërcënime me dhunim të vajzave.
“Nuk besoj që asnjë prind do të donte që të merrte kërcënime të vazhdueshme me plumb në ballë për vetveten ose fëmijët e vet, unë i marr ato vazhdimisht. Nuk besoj që ka prind në Kosovë që do të donte që dy vajzat e veta të vogla të kërcënoheshin me dhunim. S’ka prind që do të donte ti izolonte nga loja dhe jeta normale fëmijët e vet, ne detyrohemi ta bëjmë këtë sepse kemi dhjetra kërcënime me jetë”, ka thënë Osmani.

