Pacientët në QKUK në lista pritjesh nga viti 2020
Qendra Klinike Universitare e Kosovës është e mbingarkuar me rreth 10.000 pacientë që lëngojnë në lista të pritjes për shërbime thelbësore mjekësore, shkruan evropaelire.org
Zyra e Auditorit Kombëtar gjeti se pjesa më e madhe e tyre endet në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, pasuar nga Ortopedia, Oftalmologjia, Kardiologjia, Radiologjia dhe Kardiokirurgjia.
Pritja mesatare atje arrin në gati tre vjet, sipas raportit të Auditorit, që u publikua në fund të muajit të kaluar.
Auditori e hodhi përgjegjësinë te Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), duke thënë se këto institucione nuk kanë arritur t’i krijojnë kushtet e nevojshme për trajtimin në kohë të pacientëve.
Ministria nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment, ndërsa SHSKUK-ja tha se pritjet e gjata do të vazhdojnë edhe për një kohë.
Shërbimi publik shëndetësor i Kosovës përcillet me sfida të tilla që nga paslufta.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët edhe për mungesë të gjërave bazike – nisur nga çarçafët deri te sapunët, apo për të sëmurë me kancer që marrin kimioterapi në salla të improvizuara të QKUK-së.
Derisa kritikët flasin për keqmenaxhim, janë pacientët ata që bartin barrën e këtyre krizave./REL

