Pacolli nuk certifikohet si kandidat për Prishtinën
Selim Pacolli nuk do të certifikohet nga KQZ për të garuar për të parin e Prishtinës, shkaku i deklarimit me vonesë të pasurisë në vitin 2019.
Njoftimin e ka dhënë vetë Pacolli.
“Sapo morra lajmin se KQZ nuk do ta certifikoj kandidaturën time për kryetar të Prishtinës.
Kjo si pasojë e një aktvendimi të vitit 2019, ku unë kam bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të afatit ligjor për deklarim (përfshirë ditët e vikendit).
Me saktë, afati ishte të premten, ndërsa deklarimi të hënën, në orën 8:00 të mëngjesit në prezencën time fizike.
Kjo vonesë ka ndodhë si pasojë e udhëtimit tim për çështje shëndetësore jashtë vendit.
Edhe pse në esencë ky është një vendim arbitrar dhe i palogjikshëm, vendimet e gjyqësorit janë të shenjta dhe të padiskutueshme.
U betohem që edhe pse nuk do të jem zyrtarisht kandidat për kryetar të Prishtinës, dëshira dhe angazhimi im për qytetarët e Prishtinës është edhe më i madh.
Unë do të ju qëndroj besnik dhe do t’i mbështes në çdo hap të gjithë kandidatët e listës sonë për kuvendin komunal e në veçanti kandidatin e subjektit tim – AKR për kryetar të Prishtinës.
Ju siguroj se zotimi im për qytetarët është po aq i vlefshëm dhe nuk do të abstenojë, por do të vazhdoj angazhimin tim sikurse para marrjes së këtij lajmi.
Do të vazhdoj implementimin e të gjitha projekteve të planifikuara për këtë mandat dhe projektet e parapara për mandatin vijues, e që janë jetike për qytetin tonë”, përfundon Pacolli.

