Pafajësia e Grupit të Kumanovës – një harresë e dhimbshme
Majlinda Sulejmani
Grupi i Kumanovës, një emër që dikur jehonte në çdo cep të trojeve shqiptare, sot është mbuluar nga pluhuri i harresës.
Burrat që u sakrifikuan për liri dhe drejtësi u përballën me akuza të rënda dhe vuajtje përtej çdo imagjinate njerëzore.
Sot, ata qëndrojnë të burgosur, të larguar nga familjet dhe të harruar nga ata që dikur u betuan për t’i mbështetur.
Kjo harresë na prek thellë si komb. Të gjithë e dimë që këta djem dolën për të ngritur zërin kundër padrejtësive dhe për të mbrojtur identitetin dhe dinjitetin tonë.
Por, ku jemi sot? Sa prej nesh kanë kërkuar drejtësi për ta? Sa shpesh i përmendim në diskutimet tona politike apo në jetën e përditshme?
Është koha të mos heshtim më. Grupi i Kumanovës nuk ka nevojë vetëm për fjalë mbështetjeje, por për veprime konkrete.
Duhet të ngrihemi si një zë i vetëm për të kërkuar drejtësi, për të rikthyer vëmendjen ndaj kësaj çështjeje dhe për t’iu dhënë atyre atë që meritojnë – lirinë dhe nderimin që u takon.
Mos të lejojmë që sakrifica e tyre të mbetet në harresë. Drejtësia vonon, por nuk duhet të mungojë. Grupi i Kumanovës është plagë e hapur e kombit, dhe vetëm ne mund ta shërojmë atë.

