Pak shtretër e shumë të infektuar, ‘Spitali COVID-19’ s’është gati

Mbi 9 mijë e 400 raste aktive me koronavirus janë aktualisht në Kosovë dhe klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë mbushur me pacientë.

Një spital i veçantë për këta pacientë, është i domosdoshëm në këtë kohë kur numrat e të infektuarve po rriten çdo ditë, thonë në Klinikën Infektive në QKUK.

Për të gjetur një zgjidhje për këtë, më 20 shtator, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, tha se ‘Spitali COVID-19’ me 500 shtretër, do të jetë gati shumë shpejt.

“Po përgatitemi për çdo skenar. Ministria e Shëndetësisë ditëve në vijim do ta bëjë gati ‘Spitalin për COVID-19’, me 500 shtretër në Prishtinë”, kishte shkruar ndër të tjera ministri Zemaj në profilin e tij në Facebook.

Por, ky spital me këta shtretër për të cilët kanë nevojë klinikat në QKUK, ende nuk është gati.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një përgjigje gjatë së enjtes nga ministri Zemaj për të ditur më shumë se kur do të jetë gati ky spital, mirëpo ai nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përballjen me COVID-19 e ka cilësuar si ‘një situatë të luftës’, pas vizitës që bëri të enjten në Klinikën Infektive, bashkë me minisitrin Zemaj.