“Palaça, të pafytyrë”: Ish anëtari i VV-së, Florin Krasniqi akuzon pushtetin se po përpiqet t’ia mbyll hidrocentralin
Ish-deputeti dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi ka thënë se pushteti aktual po përpiqet t’ia mbyll biznesin e prodhimit të energjisë elektrike.
Krasniqi, një afarist në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me veprimtari biznesore edhe në Kosovë, është pronar i hidrocentralit “Drini i Bardhë – HC Radavc Sh.P.K.”.
Të enjten, në një deklarim në emisionin Pressing në T7, e ka akuzuar ish-partinë e tij për përndjekje ndaj tij. Ka thënë se pushteti po përpiqet t’ia mbyll hidrocentralin në Radavc. Ka thënë se aktualisht ka një masë sigurie nga gjykata kundër vendimeve të Ministrisë së Mjedisit.
Krasniqi, i ka quajtur “palaça” dhe “të pafytyrë” eksponentët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Jemi rreh me PDK-në, nuk më kanë ataku personalisht, s’ma kanë mshelë hidrocentralin. Qeta palaça, qeta të pafytyrë, kanë ardhë me ma mshelë hidrocentralin e marum në 32-tën. Kam shkuar në gjyq, kam marrë letër prej gjykatësit që mos me ardhë ata më tek unë. Unë e mbaj një hidrocentral të vogël, që prodhon rrymë aty. E mbaj hapur me vendim të Gjykatës”, ka thënë Krasniqi.
Akuzat ndaj Vetëvendosjes, Krasniqi i ka vazhduar më tej. Ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk “ka kufij për ta mbajtur pushtetin”, shkruan Paparaci.
“Po këta nuk kanë kufij për ta mbajtë pushtetin. Nuk lënë kurrgjë në botë pa bërë për ta mbajtë pushtetin”, ka deklaruar ai.
Florin Krasniqi ishte angazhuar në politikë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008. Kishte shërbyer si deputet në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e katërt të tij. Ishte dorëhequr nga të gjitha funksionet partiake më 2014.

