Palmer: Të hiqen vizat për Kosovën
Bashkëpunimi dhe raportet e mira ndërfqinjësore është tema e konferencës dyditore ndërkombëtare “Prespa Forum”, që ka nisur të enjten në Ohër, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.
Në këtë forum po marrin pjesë përfaqësues të lartë shtetërorë nga Ballkani, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, ndërsa tema e konferencës është “Ballkani Perëndimor: pjesa që i mungon Evropës që të jetë e plotë”.
Në fjalimin e tij, zëvendësi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, ka shprehur dëshpërimin që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk arritën të nisin negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, gjë që, sipas tij, mund të ketë rritur skepticizmin, por edhe mund të minojë rolin e SHBA-së dhe Evropës në sigurinë dhe integrimin e rajonit.
“Ne jemi të zhgënjyer që çështja e hapjes së konferencave të para ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk është zgjidhur, pavarësisht angazhimit të fortë dhe zgjidhjeve të arsyeshme të presidencës portugeze dhe partnerëve të fortë evropianë. Nëse SHBA-ja dhe BE-ja nuk tregojnë përkushtim ndaj rajonit, kjo çon në rritjen e skepticizmit në vetë rajonin dhe mundësinë që konkurrentët gjeopolitikë të minojnë në mënyrë agresive kredibilitetin e SHBA-së dhe BE-së dhe vetë rajoni të dyshojë në përcaktimin për integrimin evropian”, deklaroi diplomati amerikan, duke theksuar më tej edhe çështjen e liberalizimit të viziave për Kosovën – premtim ky që, sipas tij, duhej të mbahej nga ana e Bashkimit Evropian.
“Është jetike që BE-ja të mbështesë rajonin dhe të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Jemi të zhgënjyer nga vendimi për të mos nisur negociatat, sepse këto shtyrje kanë penguar përparimin e synimeve tona në rajon, jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por më shumë se kaq”, ka deklaruar Palmer, duke theksuar se “për të realizuar potencialin e plotë të këtij rajoni, liderët duhet të bëjnë më tepër se premtime, “duhet të marrin masa dhe të zgjidhin çështjet politike brenda dhe jashtë vendit, të fuqizojnë demokracitë multietnike dhe sistemet e drejtësisë dhe të lëvizin drejt së ardhmes”.

