Palokaj: Çështja e nënshkrimit komplikon arritjen e marrëveshjes
Gazetari kosovar në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se komplikimi për arritjen e dakordimit për implementimin e Planit evropian është bërë te çështja e nënshkrimit.
“Pikërisht është komplikuar çështja rreth nënshkrimit apo jo. Pasi Vuçiqi gjithmonë ka insistuar se nuk nënshkruan gjë. Kurti tha që më 27 shkurt se Kosova është e gatshme të nënshkruajë. BE-ja njëherë në mënyrë jozyrtare tha se mund të nënshkruhet vetëm si pako e përbashkët, ndërsa tash ka mundësi të kërkohet opsion sipas së cilit palët do të marrin obligime për të zbatuar marrëveshjen pa pasur nevojë të nënshkruhet. Do të ishte e çuditshme, pasi deri tash në të gjitha takimet ndërkombëtare ka pasur nevojë për nënshkrim”, ka thënë Palokaj.
Sipas tij, takimet që kanë mbushur 9 orë që nga nisja e tyre të shtunën në mëngjes, mund të zgjasin edhe në orët në vijim, pasi “Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duan që takimi të shihet si dështim”./koha/

