Pamje ekskluzive: Kryeshefi i Ujësjellësit të Gjakovës dyshohet se e montoi sulmin ndaj tij
U raportua dhe u iniciua si “sulm ndaj personit zyrtar”, por rasti i së enjtës ku është përfshirë edhe kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellsit “Radoniqi” Hasan Krasniqi në Gjakovë sipas pamjeve ekskluzive që posedon Paparaci po del të jetë më i komplikuar se ç’është paraqitur në media dhe se si është trajtuar nga organet e drejtësisë.
Policia e Kosovës më 1 qershor në raportin e ngjarjeve kriminale për 24 orë raportoi edhe një sulm ndaj personit zyrtar që thuhej se ka ndodhur në rrugën “Mit’hat Frashëri” në Gjakovë, ndërsa si viktimë e këtij rasti fillimisht u paraqit Kryeshefi i KRU “Radoniqi”, Hasan Krasniqi.
“Rr. Mit’hat Frashëri, Gjakovë 31.05.2023 – 23:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.”, thuhej në raportin e policisë.
Por, pretendimet ekzistojnë se ky rast është montuar dhe se Kryeshefi i KRU Radoniqi, Hasan Krasniqi që është njeri i afërt me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje dhe ka qenë kandidat për asamble komunale në Gjakovë nga ky subjekt politik, kishte sulmuar personin i cili aktualisht gjendet në paraburgim prej 30 ditësh, Besnik Sharanin, e që njëkohësisht është edhe pronari i autolarjes ku nisi “zënka”.
Në një video të siguruar nga Paparaci, shihet momenti ku pretendohet se kryeshefi i KRU “Radoniqi” në prani të bashkëshortes së tij ka sulmuar edhe fizikisht Besnik Sharanin. Pavarësisht kësaj, rasti u iniciua si sulm ndaj personit zyrtar dhe fajtor në këtë rast u cilësua Besnik Sharani.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe kryeshefi i KRU “Radoniqi”, Hasan Krasniqi i cili në një prononcim për Kallxo.com ka fajësuar vëllezërit Besnik dhe Butrint Sharani për sulm ndaj punëtorit të tij dhe vet Krasniqit.
“Derisa isha duke u kthy në shtëpi, rreth orës 23:00 më ka sulmu afër shtëpisë vëllai i të dyshuarit që ka sulmuar punëtorin tonë. Tash të dy gjenden në mbajtje. Kjo është çka ka ndodhë” – ka thënë Krasniqi për Kallxo.
Në anën tjetër, brimet e Paparaci.com thonë se rasti qëndron më ndryshe. Sipas këtyre pretendimeve, më datën 31.05.2023 një ekip i Ujësjellsit Rajonal “Radoniqi” kishin shkuar tek familja Sharani në rrugën Mit’hat Frashëri në Gjakovë për ta shkyçur nga rrjeti i ujësjellsit autolarjen e sapohapur të familjes Sharani pranë shtëpisë së tyre.
Në këtë drejtim, njëri nga djemtë e familjes, Butrint Sharani kishte rezistuar duke mos e lejuar shkyçjen nga rrjeti dhe në këtë rast është njoftuar policia e Gjakovës dhe pasi kanë shkuar në vendngjarje e kanë arrestuar Butrint Sharanin dhe me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë për t’u liruar të nesërmen me procedurë të rregullt.
Në të njëjtën ditë, në mbrëmje, siç rrëfen burimi i Paparaci.com, rreth orës 23:30 minuta, pranë shtëpisë së Kryeshefit të KRU “Radoniqit”, Hasan Krasniqi ndodh takimi midis këtij të fundit dhe Besnik Sharanit (vëllau i Butrint Sharanit), ku pretendohet se Kryeshefi i Ujësjellsit i ka thënë se do të shkojë të nesërmen për t’ia shkyçur sërish qasjen në Ujësjellës.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, përleshja verbale mes Krasniqit e Sharanit eskaloi në sulm fizik, ndërsa nga pamjet pretendohet se ishte Hasan Krasniqi, kryeshefi i Ujësjellsit ai që e pari e sulmon fizikisht Besnik Sharanin.
Pas kësaj përplasje fizike, policia kishte shkuar në vendin e ngjarjes dhe kishte arrestuar dy vëllezërit, Besnik dhe Butrint Sharanin, pas intervistimit, Besnik Sharanit Prokuroria ia cakton 30 ditë paraburgim për sulm ndaj personit zyrtar, ndërsa Butrint Sharani lirohet në procedurë të rregullt.
Paparaci.com ka kontaktuar me Butrint Sharanin i cili ka refuzuar të flasë për rastin, përveç se ka thënë se ajo që shihet në pamjet e kamerave të sigurisë e tregon në mënyrën më të mirë rastin. I njëjtë ishte edhe deklarimi i bashkëshortes së Besnik Sharanit që aktualisht po vuan paraburgimin.
Lidhur me rastin pretendohet se Krasniqi ka ndikuar edhe në manipulimin e raporteve mjekësore për ta paraqitur vetën si viktimë. Megjithëkëtë, mbetet të shihet se cili do të jetë verdikti i organeve të drejtësisë lidhur me këtë rast.

