Pamje ekskluzive të drogës së djegur në Veri pas shkatërrimit të laboratorit

Mediat raportuan mbrëmë se pronari i objektit ku u zbulua laboratori për kultivimin e marihuanës në Zveçan, në të cilin ishin të mbjella mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg, është Sinisha Nedeljkoviç.

Gjatë aksionit për të kryer bastisje në objektin e Nedeljkoviç, pati vonesa e zvarritje, që u shfrytëzua për organizimin e të shtënave me armë ndaj Policisë e Doganës.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se ndaj Nedeljkoviç kanë nisur hetimet si i dyshuar për “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.

Korrespodenti i Sinjalit për Veri, i cili e ka parë nga afër djegien e drogës ka bërë të ditur se në laboratorin e drogës që u zbulua në Zveçan janë gjetur rreth 9 mijë bimë kanabis, si dhe një sasi e caktuar e marihuanës, të cilat tashmë janë shkatërruar. Sipas tij, në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe armë të ndryshme, që janë sekuestruar nga Policia, si prova materiale për këtë rast.

Po ashtu, u raportua se dje ka pasur një vonesë të pazakontë në lëshimin e urdhëresës për bastisje nga autoritetet e Gjykatës dhe Prokurorisë, e cila u shfrytëzua nga personat të cilin kishin synim ta sabotonin këtë kontroll, duke organizuar të shtëna nga distanca.

Në vendin ku pati gjuajtje me armë zjarri, u sekuestruan mbi 15 predha, si provë për të hetuar rastin se prej nga erdhën të shtënat, në momentin që Policia po tentonte të kryente bastisje në një lokacion.

Personat që dyshohet se kanë gjuajtur, me qëllimin për ta sabotuar aksionin, kanë ikur nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që hetimet për këtë rast kanë filluar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.