Pamje ekskluzive të të dyshuarve që vranë me 17 plumba taksistin në Gjilan
Më 12 shtator të vitit të kaluar, qyteti i Gjilanit u trondit nga një vrasje që ndodhi në një kafene afër parkut të qytetit, ku u ekzekutua me 17 plumba taksisti 50-vjeçar, Bakush Veseli. Për këtë rast po dyshohen katër persona. I dyshuari i katërt, Lirim Jakupi u arrestua para dy ditësh.
Gazeta Sinjali ka siguruar pamje ekskluzive të personave të dyshuar për vrasjen e 50-vjeçarit. Në pamjet që ka siguruar Sinjali shihet se si dy persona shkojnë për ta kryer “punën” dhe më pas ikin nga vendi i ngjarjes.
Njëri nga të dyshuarit ka zbrazur tetë fishekë në drejtim të viktimës, kurse i dyshuari tjetër ka gjuajtur 50-vjeçarin me 9 fishekë.
Nga plumbat e shkrepur në drejtim të tij, Bakush Veseli është goditur në pjesët më vitale të trupit, me ç’rast ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Tre të dyshuarit Faton Osmani, Gëzim Bajrami dhe Irfan Veseli ndodhen në paraburgim që disa muaj. I dyshuari i katërt, Lirim Jakupi, po ashtu ishte arrestuar në shtator të vitit të kaluar, por më pas ishte liruar.
Policia njoftoi dje për arrestimin e tij, si i dyshuar për këtë rast.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

