Paraburgim për 19-vjeçarin, dyshohet se e shtyu drejt vetëvrasjes ish-të fejuarën e tij
Gjykata Themelore e Mitrovicës ka konfirmuar për Gazetën Express caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit 19-vjeçar me inicialet L.Sh., ish i fejuar i 19-vjeçares B.Y., nga Mitrovica, për shtytje në vetëvrasje.
Në një përgjigje me shkrim dhënë Gazetës Express, zyra për informim e Gjykatës së Mitrovicës konfirmoi: “Është caktuar masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit në interes të hetimeve të cilat posa kanë filluar”.
“Njësitë policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes ndërsa sipas mjekut kujdestar viktima B.Y e moshës 19 vjeçare ishte pranuar në spital pa shenja jete. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion ndërsa policia ka filluar me veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit, ku në cilësi të dëshmitarëve janë intervistuar disa dëshmitarë kurse rasti me udhëzim të prokurorit ishte cilësuar si ,,Vdekje e dyshuar”, kishte njoftuar policia.
Por, më 9 shtator si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga ana e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Mitrovicë Jug (NJHR) në koordinim me prokurorin e shtetit, “hetuesit e NJHR-së kanë arrestuar personin L.SH, 19 vjeçar, duke u bazuar në dyshimet se viktima kohët e fundit kishte qenë në presion të vazhdueshëm nga i dyshuari, në këtë rast i fejuari i viktimës”.
Ndaj të dyshuarit në fjalë është iniciuar rasti për dyshimin e kryerjes së veprës penale ,,Shtytja në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje”.

