Parashikimi i motit për pesë ditë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njoftoi se nga kjo javë do të nisë moti i vranët dhe me intervale me diell. Sot në mëngjes parashihen ngrica të dobëta, ndërsa në ultësira do të paraqiten kushte për mjegull.

IHMK-ja njoftoi se gjatë së martës, temperaturat minimale do të mbeten rreth zeros, ndërsa ato maksimalet do të jenë mbi vlerat mesatare.

“E mërkurë, mot i vranët dhe me reshje shiu. Temperaturat minimale do të shënojnë vlera pozitive, ndërsa maksimalet e ditës do të shënojnë ulje në krahasim me ditën e martë”, thuhet në njoftim.

Instituti bëri të ditur se të enjten, temperaturat do të ulen, e moti do të jetë i vranët dhe i freskët, ndërsa gjatë së premtes, temperaturat maksimale do të shënojnë ngritje të lehta.

Gjatë këtyre pesë ditëve, sipas IHMK-së, do të fryjë erë kryesisht nga jugu dhe verilindja, me shpejtësi 1-7 m/s.

“Sasitë e reshjeve të fundit ishin nga 4 deri 70 l/m 2 në rrafshin e Dukagjinit, derisa të njëjtat në rrafshin e Kosovës kanë variuar nga 5 deri 43 l/m 2”, thuhet në njoftim.

Instituti njoftoi se komuna e Gjakovës do të shënojë temperaturën më të lartë maksimale, 20 gradë celsius.