Parimi i kompetencës ekskluzive shtetërore mbi procesin zgjedhor dhe detyrimi i mos-implikimit diplomatik

Isuf B.Bajrami

Procesi zgjedhor përbën një kompetencë ekskluzive të institucioneve kushtetuese të shtetit dhe një shprehje të drejtpërdrejtë të sovranitetit popullor, në përputhje me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe rendit kushtetues demokratik.

Zgjedhjet janë mekanizmi përmes të cilit; qytetarët ushtrojnë të drejtën e vetëvendosjes së brendshme, duke përcaktuar lirisht përfaqësimin politik dhe drejtimin e qeverisjes.

Sipas nenit 2 (1) dhe 2 (7) të Kartës së Kombeve të Bashkuara, si dhe praktikës së konsoliduar të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), organizimi i zgjedhjeve, përcaktimi i kushteve të tyre dhe vlerësimi i rezultateve përbëjnë pjesë të domaine réservé të shtetit dhe nuk i nënshtrohen ndërhyrjes së aktorëve të jashtëm.

Në këtë kontekst, “Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike (1961)” vendos një detyrim të qartë për përfaqësuesit diplomatikë që të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të shtetit pritës, detyrim që merr peshë të veçantë gjatë periudhave parazgjedhore.

Neni 41 i Konventës kërkon që diplomatët të përmbahen nga çdo veprim ose deklaratë publike që mund të interpretohet si ndikim në procesin demokratik, orientim i elektoratit ose favorizim i rezultateve të caktuara zgjedhore.

Edhe në mungesë të elementit të shtrëngimit, deklaratat parazgjedhore të diplomatëve mund të cenojnë parimin e neutralitetit diplomatik, të krijojnë perceptimin e ndërhyrjes politike dhe të minojnë besimin publik në autonominë e procesit zgjedhor.

Praktika ndërkombëtare dhe doktrina juridike theksojnë se, në periudha zgjedhore, përfaqësuesit diplomatikë duhet të kufizohen strikt në komunikime teknike dhe institucionale, duke shmangur çdo deklaratë me përmbajtje politike ose vlerësuese.

Për rrjedhojë, çështja e zgjedhjeve dhe e formimit të institucioneve është dhe mbetet kompetencë e rendit kushtetues të shtetit dhe e vullnetit demokratik të qytetarëve të tij.

Çdo implikim diplomatik përmes deklaratave parazgjedhore bie ndesh me parimin e mos-ndërhyrjes dhe me standardet e sjelljes diplomatike të pranuara gjerësisht në të drejtën ndërkombëtare.

Ky parim nuk cenon bashkëpunimin ndërkombëtar apo marrëdhëniet miqësore ndërmjet shteteve, por garanton që legjitimiteti demokratik të buron ekskluzivisht nga qytetarët dhe institucionet e shtetit përkatës, pa ndikim ose perceptim ndikimi nga faktorë të jashtëm.