Pas lirimit të policëve, Osmani kërkon që Serbia të mbahet përgjegjëse: Akt flagrant agresioni
Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të rrëmbyer nga forcat serbe më 14 qershor, u liruan sot. Atyre u është ndërprerë paraburgimi dhe do të mbrohen në liri. Pas lirimit, liderët shtetërorë në Kosovë kanë kërkuar që Serbia të mbajë përgjegjësi për rrëmbimin e tyre.
Presidentja Vjosa Osmani i ka falënderuar partnerët dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lirimin e tre policëve të Kosovës.
Osmani shkroi në Twitter se kjo megjithatë nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia.
“3 policët e Kosovës janë liruar, por kjo nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia për këtë akt flagrant agresioni ndaj Kosovës dhe shkeljen e Marrëveshjes Teknike Ushtarake me NATO-n”, shkroi Osmani.
“Shumë faleminderit për partnerët tanë që bënë të mundur këtë publikim, në veçanti Shteteve të Bashkuara”, shtoi ajo.
Kurse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “ky rrëmbim konsiston me një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar”.
“Agresioni serb duhet të mbahet përgjegjës”, tha ai, duke u shprehur i gëzuar për kthimin e policëve te familjet e tyre.
Ndërsa ministri Xhelal Sveçla, tha se përndjekja e policëve nga Serbia do të vazhdojë në liri, “ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë”.
“Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës”, tha Sveçla, duke përsëritur se policët “kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës” kur janë arrestuar.
“Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, tha Sveçla.
Beqir Sefa, Mustafë Shemi dhe Rifat Zeka po akuzohen për veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënim me burg deri në 12 vjet.

