Pas mbylljes së shkollave merret vendimi i radhës: Njëri nga prindërit të qëndrojë në shtëpi

Pas vendimit për të pezulluar procesin mësimor për 3 ditë për shkak të temperaturave të ulta në Shqipëri, qeveria ka vendosur që njëri prej prindërve të qëndrojë gjithashtu pushim për t’u kujdesur për fëmijët.

Vendimi, përfshin ata prindër që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, apo në institucionet e tjera shtetërore.

Përgjatë ditëve që do të qëndrojnë me fëmijët, prindërit do të paguhen si normalisht. Në vendimin e marrë thuhet se prindërit mund të punojnë edhe nga shtëpia ndërkohë që i bëhet thirrje punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre.

Pak ditë më parë, Ministria e Arsimit mori vendimin e mbylljeve të shkollave për 3 ditë nga 24 deri në 26 janar për të shmangur çdo lloj rreziku që mund të vijë si pasojë e të ftohtit ekstrem në vend. Orët e humbura do të zëvendësohen në një moment të dytë.