Pas shirave të mbrëmshme, rëndohet situata në disa rajone të Kosovës

Kosova dhe sidomos disa rajone të saj janë përfshirë nga reshje të mëdha të shiut dhe të borës që jo vetëm se kanë vështirësuar qarkullimin në disa rrugë, por edhe kanë shkaktuar përmbytje në disa zona.

Ministria e Infrastrukturës bën me dije se në një pjesë të auto-udhës Vërmicë-Gjuricë ka pasur rrëshqitje të dheut gjatë së premtes, si pasojë e reshtjeve të shiut.

Ministria ka njoftuar se autostrada “Ibrahim Rugova”, është e qarkullueshme.

“Ministria e Infrastrukturës njofton qytetarët se pas reshjeve të shiut në drejtim të auto-udhës Vermicë-Gjurgjicë në kilometrin e 53 kemi rrëshqitje të dheut, të një sasie jo të madhe, por që auto-udha ‘Ibrahim Rugova’ është e qarkullueshme”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në lagjen “Dardania” në qytetin e Gjakovës.

Gjendja nga reshjet e shumta të shiut dhe borës, është e rënduar por e menaxhueshme, edhe pse lumi Mirusha në disa vende ka dalë nga shtrati. Si pasojë e reshjeve, disa rrugë janë bllokuar, përfshi edhe qytetin, ndërsa qytetarët janë duke shfrytëzuar rrugët alternative.

Po ashtu disa ura janë mbuluar nga uji dhe më problematike për qarkullim është rruga Malishevë-Kijevë.

Të gjitha ekipet emergjente komunale, së bashku me forcat e rendit, janë në terren dhe situata është duke u menaxhuar, por lutem të gjithë qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë, pasi në disa rrugë ka probleme në qarkullim.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, së bashku me drejtoritë përkatëse dhe ekipet përgjegjëse të emergjencave dhe të rendit, prej mëngjesit janë në terren në menaxhim situatës.

Ura në rrugën Malishevë-Kijevë është bllokuar, gjithashtu rruga Mirushë-Gurbardh, tek liqeni, është bllokuar, rruga në Turjakë, një urë në një lagje në Damanek, pastaj vështirësi ka edhe në rrugën e transitit në Malishevë, në qendër të qytetit, rruga Malishevë-Banjë ka probleme në qarkullim, prandaj luten të gjithë ngasësit e automjeteve që të shfrytëzojnë rrugët alternative në këto pjesë të Komunës së Malishevës.