Pas shumë vitesh, nesër rihapet pazari në Zarbicë të Bujanocit

Këtë të premte, më 16 dhjetor, do të rihapet pazari i kafshëve në Zarbicë të Bujanocit, duke shënuar kështu rikthimin e jetës në Malësinë e braktisur prej shumë vitesh, shkaku i dhunës sistematike të pushtetit e sidomos pas luftës në Kosovë dhe Luginë.

‘Së bashku me banorët e Malësisë synojmë ta rihapim tregun (pazarin) e Zarbicës, pasi janë bërë shumë vite që ky pazar i mungon vendit edhe njerzëve’, thuhet në një njoftim përmes faqes Zarbica ndër vite.

Pazari i ka pothuajse të gjitha kushtet për t’u rihapur. Ekziston objekti i therrjes, vendi i lidhjes së kafshëve, peshorja e kafshëve dhe e produkteve ushqimore, tezgat.

Përmes këtij postimi në rrjetet sociale janë ftuar të gjithë të interesuarit që kanë kafshë dhe produkte për të shitur, të dalin nesër në pazarin e Zarbicës. gjithë këto janë në shërbimin e tyre.

“E dimë se do jetë e vështirë, por vullneti jonë është ma i madhë se vështirësia”, thuhet në fund të njoftimit./Mediafokus.info