Pashallarët i takojnë historisë, sarajet ruhen si vlera të trashëgimisë
Gjilani si regjion shquhet për trashëgiminë kulturore, siç janë kalatë dhe kullat (sarajet). Këto objekte dallonin nga shtëpitë tjera për karakterin e tyre fortifikues, që si duket kanë shërbyer edhe për të treguar madhështinë, edhe për mbrojte në rast rreziku, shkruan Mediafoksu.info
Familja Gjinolli ndërtoi Konakun ose Sarajin e Gjinollëve, një nga objektet me të cilin identifikohej dikur ky qytet.
Një prej objekteve të tilla është edhe Saraji i Hysen Pashës (1887).
Nga këto dy objekte, ka mbetur vetëm saraji, i cili që nga pas Lufta e Dytë Botërore ka shërbyer si shkollë fillore, ndërsa tani është shkollë e Muzikës.
Në Gjilan kanë mbetur gjithsej shtatë shtëpi të tipit me ballkon, sipas Qendrës për trashëgimi kulturore.
Ballkoni si element konstruktiv arkitektonik dhe funksional, zë pjesën qendrore të katit, mbështetur në muret konstruktive, gati në të gjitha shtëpitë e mbetura.
Pjesa dekorative, në ballkone, çardakë, tavane etj., te konaku i Hysen Pashës, ku sot është Shkolla e Muzikës, shtëpia e Maksut Malokut dhe shtëpia e Zekirja Abdullahut, janë detaje me interes për etnologjinë.
Dashuri për punimet me dru, është trashëguar brez pas brezi, që nga koha ilire, të cilët ishin të njohur për teknikën e gravimit.
Ndërtimin e shtëpive në Gjilan dhe fshatrat e tij fushorë e malorë e bënin zakonisht mjeshtrit vendorë dhe rrallë ndodhte të ishin nga ndonjë krahinë tjetër.
Në fshatra janë të njohura kulla e Vehbi Zeqirit në Haxhaj dhe kulla e Shemsedin Haxhi Demë Hazirit në Zhegër, që kanë mbetur si ekzemplarë të kohës.
Një ndihmë për përshkrimin e karakteristikave të tyre mund ta japin shtëpitë-kulla në Terziaj dhe Kurexhaj, sikundër edhe Kulla e Sahit Agës në Kufcë të Poshtme.
Planimetria e tyre është katërkëndëshe. Komunikimi ndërmjet kateve brenda kullës bëhet me shkallë prej druri, ndërsa porta hyrëse është e një gjerësie më të madhe./Mediafokus.info

