Pasi e linçoi publikisht, deputetja Ujkani i kërkon falje publike profesorit Paci

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani ka reaguar sërish lidhur me deklarimin që pati në kuadër të video-ve të realizuara nga profesori në Vushtrrim, Lulzim Paci.

Deputetja tha se për karakterin e saj bullizimi nuk ka vend në asnjë formë dhe për asnjë çmim.

Tutje ajo tha se i vie keq nëse reagimi i saj e ka lënduar profesorin Paci dhe kësisoj ka kërkuar falje publike në drejtim të tij, transmeton lajmi.net.

Ndryshe pas reagime të shumta profesori Paci ishte ndjerë keq madje duke mos i mbajtur edhe lotët në një emision televiziv.

Postimi i plotë:

Sqarim për publikun në lidhje me reagimin tim ndaj profesorit Lulzim Paci

Së pari, dua të sqaroj që në karakterin tim, bullizmi nuk ka vend në asnjë formë dhe për asnjë çmim.

E kuptoj që një pjesë e njerëzve kanë reaguar me qëllim të mirë, mirëpo janë një numër i konsiderueshëm i tyre, që e kanë shfrytëzuar reagimin tim për sulme politike e qëllimkqija ndaj meje.

Më vjen shumë keq nëse reagimi im e ka lënduar profesorin Paci, për çka edhe i kërkojë falje publike.

Reagimi im ka pasur për qëllim mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve, dhe gjithsesi ruajtjen dhe mbrojtjen e kredibilitetit të shkollës, në këtë rast Gjimnazit, por assesi lëndimin e dikujt tjetër.

Unë, para se të jem deputete, kam qenë gjimnaziste e të njëjtës shkollë, pra kam reaguar si një ish gjimnaziste.

Prandaj, kërkoj nga të gjithë me mirëkuptim, që mos ta përdorin reagimin tim për sulme me qëllime politike kundër meje.