Pasi u zbuluan në media: Deputetët e VV-së tërhiqen nga kompensimi për udhëtime

Shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari ka arsyetuar shpenzimin e tepërt të derivateve të naftës nga ana e deputetëve të kësaj partie, duke thënë se vendimi për kompensim daton nga koha kur kryeparlamentar ishte Jakup Krasniqi.

Ajo ka bërë me dije se ky vendim do të ndryshohet derisa ka thënë deputetët e VV-së, vullnetarisht do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit.

“Me anë të këtij njoftimi duam të informojmë opinion publik, se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, vullnetarisht do të tërhiqen nga kompenzimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe njëkohësisht thërrasin edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njejtin standard. Gjithashtu, do të kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit, rishikimin e vendimit për kompenzimin e deputetëve”, ka thënë Kusari.