Çfarë është pasivizimi i adresave?

Pasivizimi i adresave është një praktikë që ka ndodhur në disa zona të Luginës së Preshevës, duke përfshirë Medvegjën dhe Bujanocin. Në thelb, ky proces fshin njerëzit nga regjistrat shtetërorë, duke i bërë ata juridikisht “joekzistentë”. Shumë banorë janë të bindur se ky veprim synon ta reduktojë artificialisht numrin e shqiptarëve në këto treva dhe të krijojë presion për largimin e tyre nga vendi.

Në anketën e zhvilluar nga TRT Balkan në Bujanoc se çka paraqet pasivizimi i adresave për ta, u përgjigjën kështu:

“Për me i hjek prej listës, po i hjekin prej listës me i shpërngul shqiptarët prej këtij vendi. Qëllimet i di shteti, por nuk janë të mira.”

“Me zvogëlu numrin e popullatës, aty është qëllimi tjetër s’ka”.

“Qëllimet i di shteti për çfarë arsye i bën, mirëpo nuk janë të mira. Neve na mundon dhe e ndiejmë veten keq faktikisht”. Zëri i përfaqësuesve të shqiptarëve

Përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e përshkruan këtë proces si një formë të “pastrimit etnik”:

“Në Medvegjë, pasivizimi ka sjellë një ulje drastike të shqiptarëve. Pavarësisht se këtë çështje e kam ngritur disa herë në parlament, nuk ka disponim nga Beogradi për ta adresuar.”

Kamberi thekson se ky veprim është një shembull i aplikimit selektiv të ligjit, i cili gjithmonë rëndon mbi shqiptarët.

Reagimet nga Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe ndërkombëtarët

Nevzad Lutfiu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, thekson rëndësinë e ndërkombëtarizimit të çështjes:

“Rastet që na kanë ardhur i kemi adresuar te faktori ndërkombëtar, përfshirë Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë dhe Strasburgun. Pasivizimi është një proces që po shkakton spastrim etnik ndaj shqiptarëve të Luginës.”

Edhe Shqipëria dhe organizatat ndërkombëtare e kanë dënuar këtë praktikë, duke e cilësuar si një shkelje të të drejtave të njeriut dhe standardeve për mbrojtjen e pakicave.

Një pasqyrë shqetësuese

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët përbëjnë vetëm 0,93% të popullsisë së Serbisë, një rënie e theksuar që pasqyron efektet e këtyre praktikave.

Pasivizimi i adresave ka pasur pasoja të rënda për shqiptarët, duke i privuar ata nga mundësia për të shfrytëzuar shërbime dhe të drejta themelore si arsim, shëndetësi e pensione, si dhe nga mundësia për të ushtruar të drejtat e tyre qytetare./trtballkan